TIRANË, 10 mars/ATSH/ Frika nga sëmundja ka shtyrë shumë njerëz në të gjithë botën të besojnë disa teori jo shkencore mbi koronavirusin dhe mënyrën e luftimit të kësaj sëmundjeje.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka sqaruar disa nga këto mite.
A mundet që sterilizimi me rreze ultravjollcë të vrasë koronavirusin e ri?
Llampat me rreze ultravjollcë nuk rekomandohen të përdoren për sterilizimin e duarve apo pjesëve të tjera lëkurës pasi rrezatimi UV mund të shkaktojë dëmtim të lëkurës.
Sa efektivë janë skanerët termikë për identifikimin e personave të infektuar me koronavirusin e ri?
Skanerët termikë janë efektivë në identifikimin e personave që kanë ethe apo temperaturë të shtuar. Megjithatë ata nuk idenfitikojnë personat e infektuar por që ende nuk kanë shfaqur ethe apo temperaturë.
A mund të eleminojmë koronavirusin nëse e spërkasim të gjithë trupin me alkool apo klor?
Jo. Spërkatja nuk do të vrasë viruset që kanë hyrë në organizmin tuaj. Spërkatja mund të jetë e dëmshme për ju(dëmton mukozat në sy e gjuhë). Alkooli dhe klori mund të jenë dezifektues me rëndësi për sipërfaqet por duhet të tregoni kujdes në përdorim.
A është e sigurt marrja e ndonjë letre apo pakoje nga Kina?
Po është e sigurt. Individët që marrin pako që vijnë nga Kina nuk janë të rrezikuar të infektohen nga koronavirusi. Nga të dhënat shkencore, viruset nuk rezistojnë gjatë në objekte apo letra.
A prek më shumë koronavirusi të moshuarit apo fëmijët?
Njerëzit e të gjitha moshave mund të infektohen nga koronavirusi i ri. Të moshuarit, dhe njerëzit me sëmundje të tjera (të tilla si astma, diabeti apo sëmundjet e zemrës), duket se janë më të rrezikuar që të sëmuren rëndë nga virusi. OBSH këshillon njerëzit e të gjitha moshave të ndërmarrin hapa për të mbrojtur veten nga virusi, për shembull, duke ndjekur një regjim higjenik të fortë për duart dhe frymëmarrjen.
A ndihmojnë antibiotikët?
Jo, antibiotikët nuk funksionojnë kundër viruseve. Ato veprojnë vetëm kundër bakterieve.
Koronavirusi i ri (2019-nCoV) është një virus dhe, për rrjedhojë, antibiotikët nuk duhet të përdoren si mjet për parandalim apo trajtim. Gjithsesi, nëse shtrohesh në spital për këtë virus, ty mund të të japin antibiotikë për shkak se bashkëinfektimi me bakterie është i mundshëm.
A ka ndonjë ilaç specifik për të parandaluar apo mjekuar koronavirusin e ri?
Deri më sot nuk ka asnjë ilaç specifik. Gjithsesi, ata që janë të infektuar me virusin duhet të marrin kujdes të përshtatshëm për të lehtësuar dhe trajtuar simptomat, dhe ata me sëmundje të rëndë duhet të marrin kujdes të fuqizuar mbështetës. z.tosku/












