Ballina Flash

Kurti: Jasharajt janë UÇK-ja para UÇK-së

PRISHTINË, 5 mars /ATSH/ Kuvendi i Kosovës ka mbajtur ditën e sotme seancë solemne në përkujtim të 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij në këtë seancë solemne tha se pa rezistencën, luftën dhe qëndresën e familjes Jashari nuk do të kishte UÇK.

Për këtë, sipas tij, kjo datë është e shënuar për historinë e vendit tonë.

“Sot është datë e shënuar për historinë e vendit tonë. Adem Jashari ishte i destinuar të bënte historinë. Asnjëherë ata nuk u dorëzuan dhe asnjëherë nuk e kanë lëshuar Kosovën, ky ka qenë vendimi më i mirë për ta, por edhe për Kosovën. Veprimet e tyre të grupit armatosur ishin shpresë për Kosovën. Bërthama e ushtrisë ishte tek familja Jashari. Jasharajt janë UÇK-ja para UÇK-së. Pa rezistencën, qëndresën, luftën e tyre nuk do të kishte UÇK”, tha kryeministri Kurti.

Ndërkohë më herët, Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka publikuar axhendën e aktiviteteve për 22-vjetorin e Epopesë së lavdishme të UÇK-së dhe komandantit të saj legjendar Adem Jashari.

Në programin për sot është paraparë që ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Kosovës do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

Në ora 09:00 mbahet seanca solemne e Kuvendit të Kosovës. Po ashtu do të ketë seanca solemne të Kuvendeve Komunale, ku do të mbahet edhe mbjellja e 59 fidanëve nga zyrtarët e komunave dhe nxënësit, në vendin e caktuar nga komunat përkatëse.

Në ora 12:00, në kazermën “Adem Jashari” bëhet parakalimi i Ushtrisë së Kosovës, ku trupave të FSK-së do t’iu drejtohen me fjalë rasti presidenti Hashim Thaçi, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues nga familja Jashari.

Më 6 mars, në ora 09:00 bëhen homazhe dhe vizita në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz, ku do të ketë vendosje kurorash nga tre liderët shtetërorë.

Në ora 12:00 bëhen homazhe në të gjithë Komplekset Memoriale të Dëshmorëve të UÇK-së. Në ora 17:00 mbahet akademi përkujtimore kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Të pranishmëve u drejtohen me fjalim presidenti Thaçi, kryetarja e Kuvendit Osmani, kryeministri Kurti, historiani Agim Vinca, kryetari i shoqatave të dala nga Lufta, Hysni Gucati dhe përfaqësues nga familja Jashari.

Në ditën e tretë dhe të fundit të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, më 7 mars, në ora 12:00 bëhen homazhe pranë shtëpisë së familjes Jashari, në Prekaz, ku do të marrin pjesë kryeministri Kurti dhe kryeparlamentarja Osmani.

Në ora 18:00 mbahet Nata e Zjarreve në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku do të ndizen flakadanët, si dhe do të mbahet një program kulturor-artistik në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAUSTRI – OPEC propozon reduktimin me 1,5 % të prodhimit global të naftës
Artikulli tjetërAmnistia fiskale/ Bregasi: Biznesi duhet të ndahet përfundimisht nga rruga informale, politika të japë konsensus