TIRANË, 3 mars/ATSH/ Roli i bashkive në procesin e integrimit europian ishte në fokus të takimit që u zhvillua sot në bashkinë e Patos, si pjesë e turit të takimeve publike që projekti “Bashkitë për në Europë”, po zhvillon në çdo bashki të vendit për të prezantuar gjetjet e raportit të vlerësimit të performancës së qeverisjes vendore në Shqipëri kundrejt procesit të integrimit në BE.
Kryetarja e bashkisë, Rajmonda Balilaj theksoi në fjalën e saj vëmendjen e madhe që bashkia Patos ka treguar ndaj procesit të mbledhjes së të dhënave vendore, për të ndërtuar këtë raport që do të shërbejë si një burim i vlefshëm informacioni për politikëbërësit në nivel qendror dhe bashkërendimin e aksioneve të përbashkëta për të përshpejtuar rrugën drejt integrimit në familjen e madhe europiane.
Raporti i vlerësimit për vitin 2018 u prezantua nga Jolanda Trebicka, drejtuese e projektit “Bashkitë për në Europë”, e cila shprehu ndër të tjera rëndësinë e madhe që kanë njësitë e qeverisjes vendore në Shqipëri për të gjithë procesin e integrimit europian, duke qenë se pika fundore e zbatimit të pjesës më të madhe të legjislacionit të BE-së, është pushteti vendor.
Siguria ushqimore si një nga kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ishte tematika kryesore e takimit në bashkinë Patos, ku mori pjesë gjithashtu edhe Llazar Korra, Menaxher Programi për Bujqësinë dhe Sigurinë Ushqimore në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë si edhe Gramoz Sokolaj nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Takimi u mbyll me prezantimin e programeve dhe fondeve të Bashkimit Europian nga stafi i projektit të cilët iu bënë të ditur gjithë të pranishmëve për mundësitë e shumta që ofron Bashkimi Europian për Shqipërinë, institucionet shqiptare dhe shoqërinë civile në vendin tonë./m.m/























