ROMË, 28 shkurt /ATSH-AA/ – Numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në Europë vazhdon të rritet, ndërsa më shumë shtete në kontinent vazhdojnë të konfirmojnë rastet e para.
Francë – Ministri i Shëndetësisë së Franvës, Olivier Veran, tha se numri i rasteve të koronavirusit në vend është rritur në 38.
Sipas medieve franceze, Asambleja Kombëtare i kërkoi një ligjvënësi që kishte udhëtuar në Kinë që të qëndronte në shtëpi për 14 ditë si masë paraprake.
Itali – Italia është shteti europian që është prekur më së shumti, ku sipas medieve lokale, numri i rasteve të koronavirusit është rritur në 650.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Mbrojtja Civile e vendit, numri i vdekjeve në Itali është rritur në 17.
Holanda dhe Irlanda e Veriut– Holanda dhe Irlanda e Veriut kanë raportuar për rastet e para të konfirmuara të koronavirusit të ri.
Britani e Madhe -Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se numri i rasteve të koronavirusit të ri në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 16.
Austri – Shteti i Austrisë, që në jug kufizohet me Italinë, ka konfirmuar dy raste të reja të virusit, duke e rritur numrin e përgjithshëm në 5.
Spanjë – Autoritetet spanjolle thanë se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në vend kishte arritur në 23.
Suedi – Agjencia Suedeze e Shëndetit Publik tha se koronavirusi i ri u zbulua në 5 raste të reja, duke e rritur numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në 7.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur përhapjen e koronavirusit emergjencë ndërkombëtare shëndetësore./ /os/ a.jor.






















