Në 9 mars miratohen planet e zonave të reja të rindërtimit, në 18 mars përfundon grupi i tretë

TIRANË, 28 shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ -Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se në datën 9 mars do të miratohen planet e zonave të reja të rindërtimit.

“Jemi në fazën drejt afrimit të miratimit në datën 9 mars të planeve të tjera, të zonave. Është në bashkinë Kurbin zona e dytë e Laçit, ajo e cila është gjithashtu e prekur, ka në brendësi të saj edhe spitalin e Laçit dhe shumë godina të vjetra kryesisht ato të ndërtuara me tulla silikat”, tha Margariti në konferencën e mbajtur në Kryeministri për prezantimin e projekteve të rindërtimit.

“Në bashkinë Durrës tashmë kemi identifikuar një zonë të re, e cila do të jetë totalisht një lagje re e mirëkonceptuar, e cila ndodhet në Shkozet”, tha ajo.

“Në bashkinë Kavajë gjithashtu  kemi një zonë të re, e cila integrohet me ndërtesa që prishen dhe rindërtohen po ashtu në të njëjtën hapësirë”, theksoi Margariti.

“Në bashkinë Krujë, në Fushë-Krujë kemi një lagje të re, një nga modelet e reja të zonave rurale të cilat, krijojnë komunitete të reja të qendërzuara duke i dhënë fund edhe një problematike të theksuar që është ajo e ndërtimit informal dhe në planifikimin urban dhe në një vështirësi të madhe të komuniteteve për të aksesuar shërbimet publike”, tha Margariti.

“Bubqi gjithashtu është një nga hapësirat e reja me të njëjtën formulë”, nënvizoi Margariti.

“Bashkia Vorë, si në rastin e Shijakut është një planifikim që ndërmerr rindërtimin e banesave kolektive, po aty ku banesat e mëparshme dëmtohen”, tha ajo.

“Në datën 9 mars do të kemi përfundimin e këtij procesi. Ashtu siç do të kemi në datën 18 mars përfundimin e grupit të tretë që është Marikaj, zona e Durrësit, ku kemi 2 zona të përqendruara, në qytet në brendi ku rindërtohen pallatet e dëmtuara, Golemin, Lezhën me 2 zona dhe bashkinë Krujë”-, u shpreh Margariti.

“Zona e fundit që presim për miratimin, në të cilën po hartohet plani, është ajo e Spitallës, një nga zonat e para të marra në vëzhgim për të krijuar lagjet e reja afër lagjeve informale. Këto lagje të reja do sjellin një potencial tejet të lartë të zhvillimit ekonomik, lidhja me Universitetin, me portin, pra një qendër e re e Durrësit, për t’i dhënë pak frymëmarrje ndërtimit në qytetin e Durrësit”, tha Margariti.

“Zonat që kemi kaluar në bashkinë e Tiranës, janë 9 zona. Në këto zona koncepti bazohet, jo vetëm në zhvillimin dhe rindërtimin e nevojës për rezidenca, por mbi të gjitha në një rizhvillim të ri”, u shpreh Margariti.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.