TIRANË, 1 qershor/ATSH/- Shoqata e Ndërtuesve përmes një deklarate për shtyp shpreh shqetësimin në lidhje me ligjin “Për strehimin social”, miratuar së fundmi në parlamentin shqiptar.
Shqetësimi lidhet me nenin 19 të ligjit në fjalë, i cili detyron ndërtuesit privatë që aplikojnë për leje zhvillimi dhe ndërtimi, që për ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2.000 metra katrorë, të kalojnë pa shpërblim të paktën 3% të sipërfaqes funksionale ndërtim, në përdorim apo pronësi për nevoja strehimi, njerëzve në nevojë.

“Neni 19 i ligjit është tërësisht antikushtetues dhe ne jemi tërësisht të vendosur që të ndërmarrim gjithë hapat ligjorë për ta zhbërë”, thuhet në deklaratën e shoqatës.
3 ditë më parë gjatë një tryeze diskutimi lidhur me lehtësitë fiskale që po përgatit qeveria komuniteti i biznesit ia paraqiti këtë shqetësim ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Por ministri vuri në dukje se për kalimin e 3% të sipërfaqes tek bashkia për familjet e pastreha, qeveria iu është referuar praktikave më të mira sociale në disa vende.
“Sa i përket 3%, i jemi referuar praktikave normale sociale të shumë vendeve”, – u shpreh ministri Ahmetaj.
/a.gjonaj//j.p/





















