TIRANË, 17 janar /ATSH – I. Vata/- “Mazhoranca është e hapur të dëgjojë çdo propozim relevant, që do të vijë nga ana e opozitës”, tha sot i ftuar në një studio televizive, Sekretari i Partisë Socialiste për mediat, Alfred Peza.
Peza shtoi se “PS që në vitin 2018 ka qenë aq e hapur sa kryetari i saj Edi Rama deklaroi: Që ne i vendosim opozitës një fletë të bardhe dhe ajo ta shkruajë si të dojë reformën elektorale, mjafton që të jetë brenda atyre kërkesave dhe normave ndërkombëtare të përcaktuar edhe nga raportet e OSBE-ODIHR.
“Në këtë kontekst, vazhdojmë t’i mbetemi këtij qëndrimi dhe jemi të hapur si mazhorancë, që opozita të ofrojë të gjitha opsionet që ka, dhe ka një vullnet maksimal politik për t’i marrë parasysh të gjithë propozimet racionale që ajo do të bëjë”, tha Peza.
I pyetur për qëndrimin e PS mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor, Peza u shpreh se “qëndrimi ka qenë konstant. Për aq koha sa deri në këtë momente nuk është diskutuar një palët në lidhje specifikash me sistemin, por ka qenë me tepër një debat mediatik dhe publik dhe një debat përtej tryezës politike të mazhorancës dhe opozitës të këtyre ditëve, por PS është e hapur edhe për këtë çështje, pasi opsionet që janë thënë deri tani kanë qenë nga më të ndryshmet”.
“Nuk ka një opsion final rreth të cilit mund të vërtiten të gjitha qëndrimet, kështu që unë gjykoj që do të jetë pjesë e procesit dhe e vendimmarrjes në vijimësi”, -tha ai.























