Ballina Aktualitet

Bregu: Dialogu parlamentar midis Ballkanit Perëndimor dhe BE, i nevojshëm për të ardhmen e rajonit

TIRANË, 17 janar /ATSH/ -“Në kohën kur politika është në gjendje kritike, dialogu parlamentar midis Ballkanit Perëndimor dhe BE për të ardhmen e rajonit është shumë i nevojshëm. Prandaj unë do të propozoja që të fillojmë një dialog të institucionalizuar në këtë drejtim, dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) është i gatshëm ta lehtësojë atë “, tha Sekretarja e Përgjithshëm i RCC, Majlinda Bregu në hapjen e Konferencës së Komisioneve Parlamentare për çështjet e BE-së të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asociimit të Europës Juglindore (COSAP) që u mbajt sot në Tiranë.

“RCC me lehtësi kontribuon në këtë dinamikë të re duke mbështetur një dialog dhe bashkëpunim parlamentar. Trajtimi i çështjeve politike, ekonomike, sociale, mjedisore, kulturore dhe të sigurisë në rajonin tonë nuk është përgjegjësi vetëm e qeverive. Mbështetja parlamentare për reformat e ndërmarra është thelbësore për të siguruar që të dëgjohen nevojat dhe zëri i qytetarëve i cili gjithashtu qëndron në zemër të Procesit të Berlinit dhe viti 2020 duhet të jetë një moment vendimtar për përcaktimin e rolit që parlamentet duhet të luajnë në të. COSAP është forumi më i mirë për të filluar këtë proces dhe për të përcaktuar modalitetet dhe përmbajtjen e këtij dialogu”, thekson Bregu.

“Unë jam e bindur që përfshirja e parlamenteve kombëtare në këtë proces forcon më tej rolin mbikëqyrës të parlamenteve, dhe gjithashtu ka potencialin për të kontribuar në forcimin e stabilitetit politik dhe përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Unë jam e kënaqur që liderët njohën rëndësinë e këtij propozimi, duke përfshirë qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre në Procesin e Berlinit, në Samitin e Poznanit vitin e kaluar”, përfundoi Bregu.

/gj.mima/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakStudentët shqiptarë, mundësi punësimi sezonal në Gjermani
Artikulli tjetërBerat, ndërhyrjet për rehabilitimin e mureve të Kalasë drejt përfundimit