Ballina Bota

BRUKSEL – Borrell: Irani të ruajë marrëveshjen bërthamore

BRUKSEL, 16 janar /ATSH-AFP/- Kreu i Diplomacisë i BE-së, Josep Borrell u takua sot me homologun e tij iranian, Mohammad Zavad Zarif, në Nju Delhi, për të nxitur Iranin që të ruajë marrëveshjen bërthamore dhe të shqyrtojë shkeljen e angazhimeve të tij.

Ky është takimi i parë i dy zyrtarëve që nga ripërtëritja e tensioneve, e shkaktuar nga vrasja e gjeneralit iranian Qassem Soleimani, në fillim të janarit nga një sulm amerikan në Bagdad.

Ky takim organizohet dy ditë pas vendimit të tre vendeve europiane nënshkruese të marrëveshjes bërthamore për të ndërmarrë veprime ligjore kundër Teheranit për shkeljen e angazhimeve të tij.

Gjatë takimit, Borrell këmbënguli mbi interesin e vazhdueshëm të Bashkimit Europian për të ruajtur marrëveshjen, që tani është më e rëndësishme se kurrë, duke patur parasysh përshkallëzimet e rrrezikshme në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Gjirit, sipas deklaratës së publikuar nga shërbimet e tij në Bruksel.

Biseda u përqëndrua në zhvillimet e fundit rreth Planit të Përbashkët Global të Veprimit dhe u përshkrua si e sinqertë nga shërbimet e Josep Borrell-it.

“Të dy partnerët kanë rënë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë dhe të vazhdojnë angazhimin e tyre në javët e ardhshme,” thuhet në deklaratë./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak53.3% e numrit në Qeveri janë gra, Denaj: Sfidë rritja e aksesit në financë dhe pronësi
Artikulli tjetërRehabilitohet muri rrethues pranë kishës së “Shën Kollit” në kalanë e Beratit