Ballina Aktualitet

Besimtarët katolikë e ortodoksë festojnë Krishtlindjen

TIRANË, 25 Dhjetor/ATSH/- Besimtarë katolikë dhe ortodoksë në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjen, lindjen e Jezu Krishtit.

Në katedralen e “Shën Palit”, në kryeqytet besimtarët katolikë kremtuan këtë ditë të shënuar ku mesha u drejtua nga Imzot George Frendo, i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe dashuri dhe mirësi.

Arqipeshkvi Imzot George Frendo në fjalën e tij gjatë meshës e vendosi theksin te solidariteti që treguan shqiptarët për të prekurit pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit. Ai tha se shqiptarët e kanë të shkruar në ballë dhe në zemër solidaritetin.

Arqipeshkvi Imzot George Frendo kishte edhe një mesazh për ato persona që kërkojnë të pasurohen në kurriz të atyre që janë në nevojë, të prekur nga tërmeti.

“Jam ndjerë shumë i zhgënjyer kur dëgjova se ka disa që po abuzojnë nga kjo fatkeqësi. Njerëz që kanë rritur qiratë, për kë? Për njerëz që në këtë fatkeqësi kërkojnë një vendstrehim”, tha ai.

Në përfundim të meshës besimtarët uruan njëri tjetrin për sa më shumë mirësi dhe begati. Ndërsa mesha e ortodoksëve u mbajt mëngjesin e sotëm në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” dhe u drejtua nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Ai iu drejtua besimtarëve me urimin që Viti i Ri 2020 të jetë i bekuar dhe të ketë siguri e paqe.

25 dhjetori është dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën.
Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura. Darka e Krishtlindjeve paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës

Betlehemi është qyteti i lindjes së Krishtit para dy mijë vjetësh, i cili erdhi në jetë në një kasolle.

Në shërbesat që i paraprijnë Krishtlindjes lexohen pjesët e Dhiatës së Vjetër rreth Lindjes së Krishtit, duke theksuar profecinë e Mikeas, e cila e parathotë Bethlehemin si vendlindjen e Shpëtimtarit dhe profecitë e Isaisë rreth ardhjes dhe karakterit të Mesias: Vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, një virgjëreshë do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajnë Emanuel, që do të thotë Perëndia është me ne (Isaia 7:14-15). Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të jetë mbretërimi dhe do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, At i Përjetshëm, Princ i Paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e mbretërimit dhe paqes së tij (Isaia 9:6-7).

Festa e Krishtlindjes quhet dhe Lindja në Mish e Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Në Krishtlindje kremtohet lindja si njeri e Birit të Perëndisë, të atij që së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë është me të vërtetë Perëndi në jetë të jetëve.

Prandaj në Kishë këndohet: Virgjëresha lindi sot të përmbiqenshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; Engjëjt, me barinjtë po lavdërojnë, Magët pra, bashkë me yllin po udhëtojnë; se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetshmi Zot.

Festa e Krishtlindjes është kremtimi i shpëtimit të botës nëpërmjet Birit të Perëndisë, i cili u bë njeri për ne, që me anën e tij, ne të mund të bëhemi hyjnorë, bij të Perëndisë Atë, me anë të banimin ndër ne të Shpirtit të Shenjtë./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKrishtlindja bën bashkë liderë fetarë, institucionesh dhe të partive politike
Artikulli tjetërNis shpërndarja e shpërblimit të pensionistëve për festat e Fundvitit, ISSH: Nuk humbet nëse nuk tërhiqet brenda dhjetorit