TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Situata me të cilën u përball vendi ynë pas tërmetit të 26 nëntorit bëri të nevojshme hartimin e një kuadri ligjor që do të mundësojë rimëkëmbjen e komuniteteve e territoreve nga fatkeqësi natyrore.
Përmes një akti normativ me fuqinë e ligjit qeveria ka përcaktuar detyrat e autoriteteve përgjegjëse, programet dhe procedurat përkatëse të rindërtimit me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe të sigurisë kombëtare.
Më herët, deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, relatore e ligjit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave ka theksuar se ligji krijon urën midis gjendjes së emergjencës dhe përballimit të të gjithë pasojave që lenë fatkeqësitë natyrore, ndërsa përcakton me detaje financimin përgjegjësitë të pushteti vendor e qendror dhe të trajtimit të gjendjeve.
Shqipëria, theksoi Gjylameti, nuk ka patur më parë një ligj si ky, por është mjaftuar me ligjin e emergjencave.
Ky ligj, sipas saj, jep instrumente në dorë të qeverisë dhe e detyron atë të ketë një plan rindërtimi si dhe donatorët të jenë brenda këtij plani, por jo të detyruar të bashkojnë fondet.
“Kuadri i ri rregullator përveç parandalimit, koordinimit dhe përgatitjes në rast të fatkeqësive natyrore, duhet të rregullojë menaxhimin në mënyrë efektive të pasojave afatmesme dhe afatgjata të gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe fatkeqësive të tjera duke parashikuar detyrat e autoriteteve përgjegjëse në këtë aspekt, programet dhe procedurat përkatëse të rindërtimit me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe të sigurisë kombëtare”, – theksoi deputetja socialiste.
Rimëkëmbja nga gjendja e fatkeqësisë natyrore, sipas Gjylametit, ka qëllim garantimin e kthimit të çdo subjekti të prekur nga fatkeqësia natyrore në gjendjen fillestare, nxitjen e praktikave që ulin mundësinë për shkaktimin e pasojave në të ardhmen nga fatkeqësitë natyrore si dhe forcimin e aftësisë së komuniteteve të prekura për t’i bërë ballë gjendjeve të fatkeqësive natyrore në të ardhmen./a.gjonaj/












