Ballina Bota

SHBA – Universiteti ”Columbia” bursa për studentët refugjatë

NJU JORK, 5 dhjetor /ATSH-AFP/ – Universiteti njujorkez ”Columbia” do të integrojë deri në 30 studentë refugjatë në SHBA duke mbështetur plotësisht edhe tarifat e shkollimit dhe akomodimin e tyre.

Ky program bëhet në vazhdimësi të nismave të filluara në vitin 2016, në kuadër të të cilave shtatë studentë sirianë i janë bashkuar tashmë universitetit prestigjioz.

Do të pranohen personat e shpërngulur, të cilët kanë lënë vendin e tyre të origjinës prej të paktën dy vitesh, por më pak se dhjetë vjet dhe arsimi i lartë i të cilëve është ndërprerë nga një ngjarje e jashtme (luftë apo katastrofë natyrore).

Studentët do të jenë në gjendje të aplikojnë në të gjitha katedrat e universitetit dhe ciklet, në varësi të profilit të tyre akademik.

Ata do të mund të përfitojnë nga mbështetja jashtëkurrikulare e ofruar nga universiteti, si edhe nga studentët.

Studentët e parë të programit do të zgjidhen në vitin 2020./ /ervo/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasha viziton banorët në Rrëzë të Krujës: Qeveria të nisë lëvrimin e fondeve
Artikulli tjetërFoto/ Profesoresha japoneze Kubota sjell ekspertizën nga Japonia në përballimin e tërmeteve