TIRANË, 15 nëntor/ATSH/- Në vitin 2019 në Shqipëri, 68.6% e popullsisë të grupmoshës 16 – 74 vjeç e përdorin internetin, prej të cilëve 87.1% e përdorin atë në baza ditore.
Instituti i Statistikave publikoi anketën mbi përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në familje dhe nga individët.
Në vitin 2019, 98.6% e individëve të moshës 16 – 74 vjeç kanë përdorur aparat celularë / telefona smart për të hyrë në internet.
Sipas anketës së publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, ky tregues ka shënuar rritje prej 5%, krahasuar me vitin 2018.
Ndërkohë 23.7% e popullsisë në studim e përdorin internetin nëpërmjet laptopit dhe 6.8% nëpërmjet tabletit. Këta tregues kanë pësuar rritje respektivisht 8.5 dhe 1.1%, krahasuar me vitin 2018.
Përqindja e individëve të moshës 16 – 74 vjeç që kryejnë thirrje/video thirrje përmes skype, viber, apo whatsapp gjatë tre muajve të fundit nga momenti i kryerjes së intervistës, në vitin 2019 është 92.3%.
Të dhënat në publikim i referohen vitit 2018 dhe 2019 me një kohëzgjatje dy mujore të mbledhjes së të dhënave në terren.
/a.gjonaj/j.p/





















