TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Italia mbështet Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar.
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo duke folur gjatë një takimi të mbajtur në Ministrinë e Drejtësisë, theksoi se, Italia mbështet Shqipërinë në nismat për të goditur krimin e organizuar.
“Në luftën kundër krimit të organizuar raportet mes Shqipërisë dhe Italisë janë rritur shumë vitet e fundit. Prandaj mendoj se zhvillimet e fundit do ta forcojnë më tej këtë raport”, tha Cutillo.
Sipas tij, italianët dhe shqiptarët i bashkon përpjekja për të anëtarësuar Shqipërinë në BE, pasi siç tha vetë Cutillo është shumë e rëndësishme edhe për Italinë.
“Na bashkon përpjekja për rrugën e Shqipërisë drejt BE. Për ne është e rëndësishme sa edhe për ju anëtarësimi në BE, pasi ne besojmë se kjo pjesë e Adriatikut mund të njohë drejtësi”, tha Cutillo.
/gj.mima/j.p/























