Ballina Ekonomi

Reshjet/ OSHEE: Po punohet për eliminimin e defekteve

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Reshjet e shumta të shiut që përfshinë të gjithë vendin në 24 orët e fundit shkaktuan avari në disa fidera të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.

OSHEE thotë se është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve dhe në terren grupet e punës janë duke punuar për eliminimin e defekteve të shfaqura gjatë natës prej motit të keq, me reshje të dendura, stuhi dhe shkarkesa atmosferike.

Nga dispeceritë qendrore raportohet se rajonet më të prekura nga defektet janë Tirana, Durrësi dhe Shkodra, kryesisht zonat rurale në 90% të rasteve. Defektet janë kryesisht të llojit këputje përcjellësash, thyerje izolatorësh, dëmtime kabllosh, uji në kabina, etj.

Në raport me situatën në mëngjes, paraqitet një përmirësim i situatës së furnizimit me energji elektrike me 65%. OSHEE thekson se, “në kushtet e një moti me reshje dhe me prezencë uji në objektet elektrike, është e vështirë të ndërhyhet pasi rrezikohet jeta e punonjësve. Sikurse, disa fidera janë stakuar për masë sigurie nga vetë kompania, për të evituar pasoja të mëtejshme në jetë njerëzish dhe defektesh”.

Vështirësi në riparimin e defekteve paraqitet në zonat rurale ku kryesisht janë linja ajrore, gjë që sjell vonesa në riparimin e tyre për shkak të terrenit.

Të gjithë fiderat 20 /10/ 6 kV që furnizojnë me energji elektrike hidrovoret dhe institucionet e rëndësisë së veçantë janë në punë.

Në lidhje me problematikën në terren, konkretisht në rrjetin e tensionit të lartë (TL), OSHEE njoftoi se ka avari në nënstacionin e Mifolit dhe linjën 35 kV Lanabregas – Qafë Mollë, çka ka bërë që disa fshatra të jenë pa energji.

/a.gjonaj/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAlbanologu Mandala: E domosdoshme njohja e historisë së arbëreshëve
Artikulli tjetërAsnjë penalitet për tatimpaguesit që deklaruan llogaritë bankare me shkresë apo në mënyrë elektronike