TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ – Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Shtetit pas finalizimit me sukses të operacionit të koduar “Weekend”.
Shtetasit F. M., 30 vjeç, dhe A. L., 18 vjeç, banues në Tiranë u kapën në flagrancë nga Policia me 32 doza kokainë të bëra gati për shitje, në rrugën “Muhamet Gjollesha”.
“Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 32 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë; një dozë me lëndë të dyshuar narkotike kanabisi; 3 aparate celular; një armë e ftohtë thikë dhe 66 600 lekë të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike”, – njofton Policia e Shtetit.
Të arrestuarit do të përballen me akuzat për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.













