Ballina Aktualitet

Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Lleshaj: Fenomeni prek vlerat humane

TIRANË, 30 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/- Qeveria Shqiptare ka në fokus të veçantë për trajtimin dhe riintegrimin e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore, si dhe parandalimin e këtij fenomeni.

Ministria e Brendshme me mbështetjen e projektit rajonal ‘Parandalimi dhe Lufta Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore’, financuar nga Qeveria Gjermane, organizoi të mërkurën Konferencën Rajonale kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore “Së bashku, duke luftuar Trafikimin e Qenieve Njerëzore”.

Shkëmbimi i përvojave në lidhje me format në zhvillim të trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor, si dhe metodat e reja të ndërgjegjësimit dhe identifikimi i rasteve ishin temat kryesore të konferencës.

Konferenca u çel nga Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, më pas fjalën e mori ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manasterliu si dhe përshëndetën përfaqësues te Ambasadave/Përfaqësive diplomatike në Shqipëri.

Pjesëmarrës në panelet teknike të konferencës do të jenë Koordinatore Kombëtar Antitrafik, të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe përfaqësues të Ministrive të Brendshme të tyre. Konferenca u shoqërua edhe ekspozita me vizatime të fëmijëve kushtuar temës së trafikimit të qenieve njerëzore me titullin “Si e kuptoj unë trafikimin e qenieve njerëzore”.

“Kjo është një konferencë e veçantë. Tema që i kushton vëmendjen është tejet e rëndësishëm dhe sensibilizimi është e dorës së parë. Teksa vija këtu në mes shumë atyre punimeve të fëmijëve më ra në sy një vizatim i veçantë, që e kam parë para disa ditësh në Laç, një këpucë e kuqe me një tak të gjatë, një këmbë fëmije e cila e kishte veshur. Më kishte prekur atë ditë në Laç, por dhe sot kur e pashë sërish këtu”-, tha Lleshaj.

“Dhe mendojë që e gjithë simbolika e kësaj teme është se sa thellë prek ky fenomen në subkoshiencën e fëmijëve tanë, për këtë arsye e vlerësojë shumë organizimin e kësaj konference. Kemi nevojë të prekim realitetin e shoqërisë tonë në tërësi”-, u shpreh Ministri i Brendshëm.

“Jo më larg se dje isha në një takim ku ishin dhe disa vajza viktima të trafikut, të strehuar në një qendër sociale, është një fenomen i prekshëm, ndonëse për një pjesë të shoqërisë duket jo reale. Thuhet dhe pranohet që trafikimi  i personave është trajta moderne e skllavërisë, që sjell kosto për shoqërinë, në të gjitha planet”-, njoftoi Lleshaj.

“Ky fenomen prek lirinë, demokracinë, vlerat humane dhe prandaj edhe adresimi i këtij fenomeni kërkon vëmendje të madhe shoqërore. Shqipëria është prekur nga ky fenomen me fillimin e lirisë, pas vitit 90’, fenomene që shoqëria diktatoriale nuk i njihte. Pasi qytetarët bashke me lirinë për të lëvizur i dhanë udhë dhe disa lirive për të realizuar punë të mbrapshta”-, tha ai.

“Duhet të themi me kënaqësi që Shqipëria ka marrë masa, e po merr çdo ditë e më shumë masa për të sensibilizua shoqërinë, për të përgatitur institucionet, për të ndërtuar kapaciteti për tu marrë me këtë plagë të shëmtuar të shoqërisë sonë. Ky progres është një fakt që pranohet dhe nga raportet ndërkombëtare, SHBA e BE. Njihet progresi I bërë në këtë fushë. Por gjithsesi ka ende punë dhe duhet të merremi sërish shumë intensivisht me këtë fenomen. Ri-vitalizimi  kapaciteteve të strukturave kombëtare të referimit në nivel qendror dhe lokal, fokusi fëmijët dhe gratë. Përmirësimi I standardeve të identifikimit të viktimave..etj”.

“Mekanizmi Kombëtarë i Referimit me 13 institucione që bashkëveprojnë mes tyre është një fakt shumë pozitiv. Ajo që mendohet është që ky mekanizëm të shtojë rrethin e pjesëmarrësve dhe konsolidohet më tej.  Një çështje tjetër ka të bëjë me komitetet rajonale anti trafik, që funksionojnë në të gjithë Shqipërinë në 12 qarqet e vendit dhe kanë si objektivë fillestar identifikimin fillestar të viktimave të mundshme të trafikimit dhe përcaktimin e nevojave në çdo qark”.

“Hap tjetër i rëndësishëm që do ketë impakt të padiskutueshëm  është reforma në Drejtësi. Kjo reformë është ajo që do impaktojë jo vetëm këtë element por gjithë shoqërinë shqiptarë. Kjo reforma ka nisur të japi efektet e para, por aktivizimi apo konkretizimi saj do sjell rezultate të dukshme për arsye që do ti japi prokurorëve dhe gjyqtarëve të duhur të marrin vendimin e duhur. Kjo motivon dhe të gjitha institucionet për të përforcuar punën në këtë drejtim. Policia po ashtu sheh të gjykata e prokuroria një partner më shumë të besueshëm që ndihmon në bërjen e drejtësisë”-, tha Lleshaj.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Pacolli në konferencën e ministrave të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë
Artikulli tjetërMogherini: Keqardhje për vendimin e Këshillit Europian