Tiranë, 29 tetor/ATSH/- Punimet për ndërtimin e ujësjellësit të Dvoranit në bashkinë e Korçës janë realizuar në masën 41%.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili po kryen punimet bën të ditur se ka përfunduar betonimi i depos 200 m3 në Dvoran dhe depos në Kamenicë.
“Janë realizuar 41% e punimeve në këtë skemë, brenda standardit të kërkuar dhe me materiale të cilësisë së lartë. Deri më tani, janë shtruar afro 8.5 km linja tubacionesh ose 85% e totalit, si dhe 18 km rrjet shpërndarës, ose në total rreth 82% e rrjetit shpërndarës”, bën të ditur FSHZH.
Sipas FSHZH-së, ka përfunduar betonimi dhe vazhdon mbushja me gurë dhe izolimi i kaptazheve të Saliajt dhe Zgërfella. Si dhe vijon puna me betonimin e gropës septike. Gjithashtu ka filluar instalimi i lidhjeve të shtëpive, me rrjetin e furnizimit.
“Kjo ndërhyrje në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon të furnizojë familjet e zonës me ujë të pijshëm pa ndërprerje dhe me cilësi, sipas udhëzimeve të BE-së” bën të ditur FSHZH.
/a.gjonaj/j.p/






















