Ballina Kosova

Franca mbështet anëtarësimin e Kosovës në BE

PRISHTINË, 17 Maj/ATSH/.- Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, janë promotorët më të mëdhenj të anëtarësimit të Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Kështu theksoi sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një takimi bashkë me kryeministrin Haradinaj, me presidentin francez Macron, të zhvilluar në Sofje, Bullgari, në kuadër të Samitit të Sofjes.

Thaçi bën të ditur se “me vizionin dhe përkushtimin e tyre, Macron dhe Merkel, i kanë dhënë shpresë të gjitha vendeve tona”.

“Franca e ka mbështetur popullin e Kosovës në gjithë rrugëtimin tonë të gjatë për liri, pavarësi, ndërtimin e shtetit dhe në forcimin e perspektives euroatlantike”, u shpreh Thaçi.

Ndërsa kryeministri Haradinaj shprehet se “Franca në 20 vitet e fundit ka bërë shumë për Kosovën dhe tani, derisa po bëhemi gati për tu bashkuar me familjen europiane, ky raport duhet të thellohet më shumë në të gjitha fushat me synim të vetëm përmbushjen e kushteve dhe standardeve europiane përgjatë procesit integrues”.

“Kosovës nuk do t’i mungojë në asnjë rrethanë përkushtimi dhe vendosmëria në rrugëtimin e saj drejt BE-së”, tha Haradinaj./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKoha e drejtësisë po vjen
Artikulli tjetërDemiraj nuk ekzekutoi asnjë urdhërarresti për Agron Xhafajn