TIRANË, 17 Maj/ATSH/ -Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi sot pas daljes nga Kuvendi se “koha e drejtësisë po vjen, por nuk do të vij as nga Arta Marku dhe as nga znj. Prela, por nga shqiptarët”.
Në një prononcim për gazetarët, Kryemadhi tha se, problemi i vendit dhe keqqeverisjes është Edi Rama.
Duke komentuar akuzat ndaj ministrit Fatmir Xhafaj, Kryemadhi tha se është Edi Rama ai që ideoi sulmin dhe hodhi në treg audio-përgjimin.
Kryemadhi tha se zgjidhja e problemeve të vendit është largimi i Edi Ramës. Kryemadhi deklaroi se drejtësinë do ta bëjnë qytetarët, pasi Prokuroria nuk është më besueshme.
“Parlamentarizmi është drejt fundit dhe kjo vjen për shkak të uzurpimit që Rilindja i ka bërë institucioneve të qeverisë. Dita e sotme tregon kapjen e këtij sistemi dhe çdo qelize dhe segmenti të shtetit. Ju i patë vetë standardet e dyfishta dhe sesi falsifikohen dokumentet, sesi i mbyllet goja opozitës”,- u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi u shpreh se “themi që drejtësinë do ta marrë populli, pasi askush nuk duron që t’i marrësh edhe kafshatën e fundit të fëmijëve”.
Lidhur me audio-përgjimin, Kryemadhi tha se është i thjeshtë vërtetimi i autenticitetit të tij.
/gj.mima/ /a.g/























