Ballina Flash

Ankimimi për Griezmann, ndëshkim qesharak për “Barcelonën”

TIRANË, 17 Shtator /ATSH/ – Ankimimi i “Atleticos së Madridit” kundër “Barcelonës” për rastin “Griezmann” mund të çojë në dy zgjidhje: mbylljen e “Camp Nout” për një ndeshje, ose me shlyerjen e një gjobe vërtet qesharake nga klubi “blaugrana”. Bëhet fjalë për 300 euro, një shifër që për një emër të madh si “Barcelona” është qesharake.

Duket se do të jetë ky vendimi për zgjidhjen e çështjes së sulmuesit francez, që ka trazuar Spanjën gjatë verës. Drejtuesit e “Los Colchoneros” e akuzuan “Barcelonën” se i kishin nisur bisedimet me futbollistin pa autorizimin e tyre, në një periudhë kur klauzola e largimit ishte 200 milionë euro.

“Blaugranat”, në fakt, e morën futbollistin pas 1 korrikut, kur hynte në fuqi klauzola e largimit 120 milionë euro. Gjykatësi Juantxo Landaberea, që ka bërë shqyrtimin paraprak të fakteve, ka propozuar pikërisht këtë zgjidhje: gjobë 300 euro, ose mbylljen e stadiumit për një ndeshje.

Masa ndëshkimore ekonomike është vërtet qesharake. Sipas “El Mundo Deportivos”, shifra e ulët e gjobës lidhet me faktin se “Atletico” nuk ka siguruar prova të reja, përveç atyre të cituara në media.

Klubi madrilen kërkoi dëmshpërblim 80 milionë euro, shifër që është diferenca mes klauzolës së largimit, që ishte në fuqi para 1 korrikut, me shumën e paguar nga “Barcelona”, duke pretenduar se fjalët e vetë futbollistit (Griezmann) dhe sjellja e “Barcelonës” janë sinjale që bisedimet kanë nisur prej shumë kohësh. Mirëpo gjykatësi vendosi duke iu referuar Kodit të Disiplinës Sportive të Federatës Spanjolle të Futbollit. Tashmë “Camp Nou” nuk do të hapë dyert për një ndeshje ose arka e “Barcelonës” do të “varfërohet” me 300 euro.

/gj.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasha nga Shkodra: PD ka përgjegjësi për të nxjerrë vendin nga kriza
Artikulli tjetërKuvendi, 6 kandidatë interes për në Gjykatën Kushtetuese