Ballina Flash

Bardhi: PD, asnjë plan për djegien e Parlamentit

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi në përgjigje të interesimit të medieve, foli për skenarin e djegies së Parlamentit, i pretenduar nga Presidenti Meta gjatë seancës së sotme në komisionin hetimor parlamentar. 
“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar nuk ka pasur kurrë asnjë plan për djegien e institucioneve, pavarësisht se ato nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesin e një grupi oligarkësh dhe kriminelësh të lidhur me kryeministrin e vendit”, tha Bardhi.
Partia Demokratike, sipas tij, fton mediet të hapin arkivat e javëve përpara 30 qershorit dhe do të gjejë se opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, ka denoncuar skenarët e dhunshëm të Edi Ramës, që kanë patur për qëllim t’i përdorë më pas kundër PD dhe opozitës.
Në këtë këndvështrim, sipas tij, duhet të lexohet edhe deklarata e Presidentit Ilir Meta, i cili u shpreh se “nuk mund të pranonte një Rajshtag në Shqipëri”.
“Të gjithë e dinë se me djegien e dyshimtë të Parlamentit gjerman, Hitleri çimentoi pushtetin nazist pas ardhjes në pushtet pak kohë para djegies së Rajshtagut. Partia Demokratike e konsideron komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit si një mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës, ndërsa anëtarët e këtij komisioni, personazhe të dosjeve 184 dhe 339, si bashkëpunëtorë të krimit në vjedhjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”, tha Bardhi. /j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdryshim rrënjësor i hapësirës mësimore/ Shkolla “Meleq Gostnishti” në Patos gati për të pritur nxënësit
Artikulli tjetërKryediplomati gjerman: Shqipëria progres real, të hapen negociatat