TIRANË, 26 qershor /ATSH-A.ALLA/ – “Në këto 26 ditë të fushatës kemi dalë dhe kemi takuar çdo banor fshat më fshat e lagje më lagje. E kemi parë vet ndryshimin e qytetit të Elbasanit. Gjithashtu kemi biseduar me ju për punët që do bëjmë gjatë 4 viteve, për platformën që ne kemi. Punët e mira në Elbasan do t’i bëjmë për të gjithë qytetarët, për çdo njësi administrative dhe për çdo fshat. Pa harruar gjithashtu dhe periferinë e Elbasanit aty ku ka më shumë nevojë për punë”, – tha kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Elbasan Gledian Llatja, gjatë takimit elektoral në këtë qytet.
Llatja tha se, “në 30 qershor ne kemi sfidën e parë, kemi sfidën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dua t’ju ftoj të gjithëve që në 30 qershor të vini të merrni pjesë masivisht që t’i tregojmë së bashku gjithë Shqipërisë dhe Europës që Elbasani është qyteti i traditës, kulturës dhe dijes”.
“Gjithë qytetarët e Elbasanit nuk ka rëndësi nëse janë të djathtë apo të majtë duan të bëhen pjesë e progresit gjatë 4 viteve të ardhshme, të punëve të mira në qytet dhe në fshat, të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë. Qytetarët e Elbasanit duan të bëhen pjesë e rrugës sonë drejt Bashkimit Europian”, – u shpreh Llatja.
“Dua t’ju ftoj në 30 qershor që gjithë së bashku të tregojmë vlerat më të mira të demokracisë në institucionin më me vlerë që ka demokracia të tregojmë votën e lirë dhe të ndershme të çdo qytetari”, – përfundoi kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Elbasan, Gledian Llatja.












