Ballina Bota

FOKUS – Saga e trishtë e Boris Becker

BERLIN, 24 qershor /ATSH-AFP/ – Divorce shkatërruese, vështirësi me organet tatimore, peripeci për të fituar një imunitet diplomatik. Periudhë e vështirë për Boris Becker, ish-numrin një të botës në tenis, i cili ka përjetuar skandale të njëpasnjëshme, sa dramatike aq edhe absurde.

-Fëmijë i paligjshëm-

Për ish-idhullin gjerman të tenisit, fitues i gjashtë titujve të Grand Slam, saga e fatkeqësive nis që në mbyllje të karrierës së tij, në qershor 1999. Në moshën 31 vjeç, ai luan në ”Wimbledon” turneun e fundit. Mbrëmjen e eliminimit “Boum Boum” kalon mbrëmjen e parë pas ndërprerjes së karrierës profesionale në një restorant. Bashkëshortja e tij Barbara, shtatzënë me fëmijën e dytë, ndodhet në spital për të sjellë në jetë foshnjën.

Ai shkëmbehet në atë kohë me Angela Ermakova, një top modele me të cilën kalon mbrëmjen.

Tetë muaj më vonë, gruaja i njofton se priste një fëmijë me të. Pasi e mohon të jetë babai i foshnjës, ai pranon t’i japë atësinë, pas konfirmimit nga testet gjenetike.

Përveç pensionit të shtrenjtë ushqimor që ai i paguan fëmijës dhe nënës së tij, 2 milionë euro, 10 000 euro në muaj dhe një apartament në Londër, aventura i kushtoi edhe martesën me Barbarën.

-Divorc i kushtueshëm-

I martuar që nga viti 1993,  Boris dhe Barbara Feltus divorcohen në 2001. Ish-bashkëshortja përfiton, sipas medias, 10 milionë dollarë si dhe një vilë luksoze në Majami.

Becker martohet në 2009 me një top-modele holandeze, Lilly Kerssenberg. Çifti, i cili pati një fëmijë në 2010, njoftoi në maj 2018 se po ndaheshin. Që nga ajo kohë, Boris dhe Lilly nuk po reshtin së furnizuari me lajme mediat rozë.

-Martesë e papaguar-

Pak pas martesës së dytë, Becker përfshihet në një konflikt me pastorin zviceran i cili e lidhi në martesë në pikën luksoze turistike në Saint-Moritz, në lidhje me pagesën që i detyrohej për t’i paguar. Drejtësia zvicerane vendosi që ish-lojtari t’i paguajë 1 988 franga zvicerane (1 800 euro) priftit dhe 2 257 franga shpenzime të procesit gjyqësor (2000 euro).

-Evazion fiskal-

Në 2002, në kohën që ai deklaron se po jeton në Monako, organet tatimore gjermane marrin në konsideratë faktin se ai po kalon më shumë kohë në Mynih, dhe për rrjedhojë është tatimpagues gjerman. Ai u shpall fajtor për mashtrim me tatimet, dhe u dënua me dy vite burg me kusht, tre milionë euro që i duhet të paguajë organeve tatimore, dhe 500 000 euro gjobë.

-Dështimet-

Në 15 vite karrierë, Becker fitoi mbi 21 milionë euro pa llogaritur dhjetëra miliona të grumbulluara nga kontratat e shumta me sponsorët. Por, fitimet e tij shumë shpejt u shpenzuan në investime të rastësishme, dështim i dyqanit me artikuj sporti on line, dështim i koncesionarëve në fushën e automjeteve.

I mbytur në borxhe, Becker u deklarua në faliment personal në 2017 nga një gjykatë në Londër ku kreditorët i kërkonin t’i kthente mbrapsht disa dhjetëra miliona euro.

-Pasaportë e rreme diplomatike-

I akuzuar nga gjykata britanike, Becker në 2018 ai bën përpjekjen e fundit me mjaft rrezik. Në sajë të marrjes së një pasaporte diplomatike të Republikës së Afrikës Qendrore, ai pohon se është emëruar nga presidenca e Afrikës Qendrore ”atashe” pranë Bashkimit Europian për Çështjet kulturore, Sportive dhe Humanitare.

Ai kërkon në atë kohë një imunitet diplomatik për t’i shpëtuar kreditorëve.

Por, Ministria e Punëve të jashtme të Afrikës Qendrore bën të ditur se pasaporta e paraqitur nga Becker është e rreme dhe është padyshim në mesin e disa pasaportave boshe të vjedhura në 2014.

-Trofe të humbur-

Vitin e kaluar, ai për herë të parë prezantoi idenë e shitjes së trofeve për t’u lehtësuar nga situata e vështirë ekonomike. 49 fitore, përfshirë gjashtë në Grand Slam, titujt më prestigjiozë.

Zyra e ngarkuar për të menaxhuar situatën e falimentimit të tij financiar bëri të ditur se gjermani nuk i zotëron më disa pjesë të thesarit të tij sportiv. Një thirrje botërore bëhet e ditur për rigjetjen e trofeve të zhdukur.

As ai, as zyra në fjalë nuk dhanë asnjë komunikatë për të specifikuar, ku dhe si u gjetën trofetë, që do të dalin në ankand këtë javë në Londër./ /v.b/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria në Expo 2020 në Dubai
Artikulli tjetërPas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, Veliaj: U kry, fitoi Shqipëria