TIRANË, 20 qershor/ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Elona Gjebrea nga seanca plenare e së enjtes vlerësoi punën e Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku në një vit e gjysmë punë në krye të këtij institucioni.
Pas prezantimit të raportit të organit të akuzës për vitin 2018 nga Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, deputetja e majtë tha se falë punës së saj, i është dhënë ritëm prokurorive kryesore në vend.
“Në një kohë prej më shumë se një vit e gjysmë, Prokurorja e Përgjithshme së bashku me stafin i kanë dhënë një ritëm prokurorive kryesore në vend, duke ndryshuar drejtuesit që nuk kishin rezultate pune apo që ishin apatikë apo duke udhëzuar rritjen e përgjegjësive për ruajtjen e sekretit hetimor dhe nisjen e procedimeve ndaj çdo prokurori apo OPGJ që do të vepronte në kundërshtim me këtë detyrim ligjor. Po ashtu, vlerësoj qëndrimin publik dhe të paanshëm për çështje të nxehta, prononcime me kujdes në media duke iu përmbajtur etikës së prokurorit, raportin në media në favor të informimit publik dhe jo të protagonizmit personal, përpjekjen për të vendosur modelin e prokurorit profesional dhe jo atij që keqpërdoret nga politika nëpërmjet shprehjes së qëndrimeve absolutisht profesionale dhe të bazuara në ligj për mbylljen me sukses të rekrutimit të OPGJ të rinj, bashkëpunimin për ligjin e ri të policisë gjyqësore për mbarëvajtjen e procesit të konsultimit në kohë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, – tha Gjebrea.
/z.tosku/ /a.g/












