TIRANË, 3 qershor/ATSH-Arbi Fortuzi/- Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka gjatë emisionit “Open” u shpreh se është e vështirë të përmbahet një protestë aq masive edhe pse kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi që të mos prekeshin punonjësit e policisë, teksa shtoi se “nëse nuk ka reagim nga Rama mund të ketë dhe destabilitet”.
“Në protestën e fundit pati raste sporadike dhune. Por s’mund të thuhet që ishte e dhunshme. Në pjesëmarrje kaq të mëdha është e pamundur të mos ketë gjaknxehtësi, por Basha kërkoi me qetësi dhe jo dhunë, duke kërkuar dhe mos prekje të policisë”, – vijoi Duka.
Duka duke komentuar deklaratën finale të Lulzim Bashës në protestë tha se kjo do të thotë se nëse nuk reflekton qeveria atëherë do të ketë dhunë, pasi nuk mund të kontrollohen masat.
“Basha në deklaratën e tij këtë tha, që turmën po e kontrollojmë dhe po mënjanojmë dhunën, por ai shprehu qartë që kërkon reagimin e Ramës dhe nëse nuk vjen mund të vijë momenti që turma të mos përmbahet dhe të ketë destabilitet”, – theksoi Duka.
/























