Ballina Aktualitet

Kaso: Vendimi i KQZ-së, i paligjshëm

TIRANË, 23 maj /ATSH/ – “Çdo anëtar i KQZ që votoi për të përjashtuar opozitën, në shkelje flagrante të ligjit dhe të vendimit të mëparshëm të vetë KQZ, do të ndiqet penalisht për shpërdorim detyre”, deklaroi sot Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso.

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi kundër kërkesës së PD për t’u përfaqësuar me anëtarët e saj në KZAZ.

Ivi Kaso tha se, “vendimi i paligjshëm për përjashtimin e opozitës u mor pas presionit nga Taulant Balla dhe Damian Gjiknuri, akt i cili është denoncuar më herët nga opozita publikisht dhe tek partnerët ndërkombëtarë”.

“PD do ta ankimojë vendimin, si dhe do të informojë misionin e OSBE/ODIHR dhe organizmat ndërkombëtarë për përjashtimin e opozitës nga kontrolli i procesit”, shtoi Kaso.

“Kemi të bëjmë me një parti, e cila, edhe kur garon e vetme, vjedh dhe manipulon procesin”, tha Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLONDËR – May shtyn votimin për Brexit
Artikulli tjetërTrajtimi financiar për tri kategoritë e veçanta, premtim i mbajtur e që adreson një problem të vjetër