TIRANË, 21 maj /ATSH/ – Me qëllim garantimin e transparencës në institucionet publike të arsimit të lartë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë bëri publike të dhënat në kuadër të programit të transparencës dhe të trajtimit të ankesave ndaj institucioneve të arsimit të lartë.
Përmbajtja e tyre publikohet nga Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar në portalin e transparencës universitare dhe të trajtimit të ankesave.
Në mënyrë të vazhdueshme bëhet përditësimi i të dhënave nga pikat e kontaktit pranë IAL-ve. Në lidhje me ankesat mbi problematikat dhe shqetësimet në ambientet universitare në portal është hapësira “Ankesa ime” në të cilin janë dërguar dhe trajtuar deri tani 4 ankesa.
Portali është i aksesueshëm nga të gjithë dhe në të janë publikuar online të dhëna të detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare të çdo institucioni të arsimit të lartë, të dhëna për buxhetin afatmesëm (PBA), buxhetin vjetor, grantin nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat e tjera, të gjitha shpenzimet operative, shpenzimet për kërkim shkencor dhe shpenzimet kapitale të çdo institucioni publik të arsimit të lartë.
Gjithashtu të publikuar online janë dhe informacion për procedurat e prokurimit publik (parashikim/realizim) apo procedurat konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat, vendimet e bordit, të senatit dhe organeve të tjera drejtuese/ vendimmarrëse.
Kuotat e parashikuara për çdo vit akademik, instrumentet dhe programet e shkëmbimit studentor dhe procedurat përkatëse, instrumentet e financimit të studimeve dhe procedurat përkatëse (bursat publike dhe ato specifike për çdo IAL) gjithashtu janë të publikuara online dhe janë të aksesueshme.
Në portal online janë dhe marrëveshjet dy-apo shumëpalëshe në nivel IAL-je apo institucione të tjera, të dhënat për bursat dhe stimujt financiarë të ofruar nga shteti për studentët, CV-të e pedagogëve dhe rezultatet e kontrollit dhe të verifikimit të titujve shkencorë.
Mekanizmat dhe procedurat për bërjen e kërkesave dhe paraqitjen e ankesave në lidhje me veprimet ose mosveprimet e drejtuesve/organeve drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë, procedurën, nëpërmjet së cilës personat e interesuar mund të paraqesin mendimet e tyre apo të ndikojnë në çfarëdo mënyre tjetër në hartimin e ligjeve, të politikave publike apo ushtrimin e funksioneve të institucionit të arsimit të lartë janë gjithashtu online në portal. /a.a/j.p/












