FOTO/ Panairi i Punës në Shkodër, 465 vende të lira pune

TIRANË, 21 maj /ATSH/- Panairi Rajonalë i Punësimit u ndal sot në rrugën “Kol Idromeno” te Sheshi i Panaireve, në Shkodër ku mirëpriti rreth 1300 vizitorë.

Janë 64 kompani nga Shkodra, Puka dhe Malësia e Madhe të cilat janë duke prezantuar në panair 465 vende të lira pune, në sektorë si: hoteleri-turizëm, industri përpunuese, ndërtim, shërbime tregtare, telekomunikacioni apo edhe bankare, të cilat po vazhdojnë të intervistojnë dhe grumbullojnë CV-të e kandidatëve të ndryshëm.

Ndërkohë, Zyrat e Punës janë duke prezantuar edhe 434 vende të tjera të lira pune të shpallur nga subjekte jo pjesëmarrëse në panair.

Përveç bizneseve, pjesëmarrës në panair janë dhe ofrues të arsimit dhe formimit profesional që ushtrojnë aktivitetin në Rajonin e Shkodrës, përfaqësues të institucioneve vendore, si dhe përfaqësues të projekteve bashkëpunuese në fushën e Arsimit, Formimit Profesional dhe Punësimit. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.