TIRANË, 21 maj/ATSH- A. Fortuzi/- Tri anije të Forcës Detare shqiptare u stërvitën në ujërat tona territoriale në Adriatik me anijen flamurtare të Grupit II të Përhershëm Detar të NATO (Standing NATO Maritime Group 2, SNMG2).
Anijet e Forcës Detare shqiptare “Iliria”, “Lissus” dhe “Briza” dhe ekuipazhet e tyre, kryen manovra ushtarake me fregatën holandeze “Evertsen”, e cila është anija flamurtare e SNMG2 dhe fregatën tjetër pjesë e këtij grupi, kanadezen “Toronto”.
Anijet pjesëmarrëse në stërvitje testuan kapacitetet për mbrojtjen ndaj kërcënimeve asimetrike dhe terroriste që vijnë nga mjete të vogla lundruese të shpejta. Gjithashtu u provuan formacionet taktike të anijeve, improvizimi i furnizimit në det si dhe shkëmbimi i sinjaleve.
Stërvitjen në detin Adriatik e ndoqi nga bordi i fregatës holandeze “Evertsen” edhe zëvendëskomandanti i Forcës Detare shqiptare, kapiten i Rangut I, Artur Meçollari.
Stërvitja e anijeve të Forcës sonë Detare me anijet e SNMG2, përmbylli vizitën treditore të këtyre fregatave në Portin e Durrësit, ku këto anije u ankoruan.
Anijen flamurtare të SNMG2 e vizitoi më herët edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, i cili u prit në bord nga homologu i tij holandez gjeneral Rob Bauer dhe komandanti i Grupit II të Përhershëm Detar të NATO, kundëradmiral Boudewijn Boots.
Pjesë e Grupit II të Përhershëm Detar të NATO (SNMG2) është edhe anija shqiptare “Butrinti”, e cila shërben në misionin e Aleancës në detin Egje.
SNMG2 zakonisht është i angazhuar në detin Mesdhe, por nëse kërkohet, grupi i anijeve është i gatshëm të dislokohet kudo ku NATO ka nevojë. /a.g/






















