LONDËR, 21 maj /ATSH-AFP/ – Dështimi i bisedimeve për Brexit me opozitën laburiste është një tjetër goditje për kryeministren britanike, Theresa May, e cila tashmë po përgatitet për largimin e saj, thënë kjo nga partia e saj konservatore.
Më poshtë gjendet lista e konkurrentëve të deklaruar ose potencialë për të pasuar Theresa May-in:
Boris Johnson, njeriu i Brexit
Ish-kryetari i bashkisë së Londrës konfirmoi se do të kandidonte për kryeministër dhe sipas Ladbrokes kompani bastesh, ai është një favorit.
“Bojo”, 54 vjeç, ka qenë një nga arkitektët më të mëdhenj të fitores së Brexit në referendumin e qershorit 2016, nga i cili ende gëzon një pjesë të madhe të legjitimitetit të tij.
Por, para largimit nga qeveria në mbrojtje të një shkëputjeje të qartë me BE, i emëruar si Ministër i jashtëm nga Theresa May, nuk ka ngurruar të kritikojë strategjinë e kësaj të fundit në negociatat me Brukselin.
I aftë dhe karizmatik, ai është mjaft popullor në mesin e aktivistëve, por më pak me kolegët e tij, të cilët e fajësojnë atë për gabimet e shumta dhe për një lloj dilentantizmi.
Michael Gove, shpirti i krishterë
Ministër i Mjedisit, ky 51-vjeçar euroskeptik luajti rolin e dorëzanit për mbështetësit e Brexit në qeverinë e May-it.
Zëvendës i Boris Johnson gjatë fushatës së referendumit, ndërsa ai po përgatitej për të kandiduar për kreun e qeverisë, Michael Gove e goditi atë pas shpine duke tërhequr mbështetjen e tij dhe duke paraqitur kështu kandidaturën e tij përpara se të eliminohej përfundimisht gjatë votimit të anëtarëve të partisë.
Ai mund të shfaqet si njeriu i situatës falë fleksibilitetit të pozicioneve të tij.
Jeremy Hunt, neo-Brexiter
Ministri i Jashtëm, 52 vjeç, kishte mbështetur qëndrimin në BE përpara se të ndryshonte mendim, i zhgënjyer nga qasja “arrogante” e Brukselit në negociata.
Një ish-biznesmen i cili flet rrjedhshëm gjuhën japoneze, ka fituar një reputacion si udhëheqës i cili nuk i frikësohet sfidave, pasi ka kryesuar për gjashtë vjet fatin e shërbimit shëndetësor (NHS), përballë një krize të thellë, kur ishte ministër i Shëndetësisë.
Andrea Leadsom, konsensualja
Një finaliste e pafat në garën për postin e kreut të qeverisë në vitin 2016 kundër Theresa May, ministrja përgjegjës për marrëdhëniet me Parlamentin është një avokate e zjarrtë e Brexit.
Admiruese e Margaret Thatcher, Andrea Leadsom, 56 vjeçe, kaloi tre dekada në qytetin e Londrës. Ajo filloi të bëjë emër për veten gjatë fushatës së referendumit, ndërsa ishte Sekretare e Shtetit për Energjinë, duke mbrojtur me pasion daljen nga BE-ja pa e humbur qetësinë dhe buzëqeshjen e saj.
Ajo mund të figurojë si një kandidate e konsensusit.
Dominic Raab, ”ujku” i ri
I emëruar ministër i Brexit në korrik, Dominic Raab dha dorëheqjen katër muaj më vonë, duke mos u pajtuar me Theresa May-in mbi marrëveshjen e tërheqjes me Brukselin.
A e sheh ai veten në Downing Street?
“Kurrë mos thuaj kurrë”, thotë 45-vjeçari euroskeptik.
Një ish-avokat i specializuar në të drejtën ndërkombëtare, ai është tashme një nga figurat e reja protektive konservatore.
Sajid Javid, përkrahës i Thatcheri-it
I emëruar ministër i Brendshëm në prill 2018, 49-vjeçari Sajid Javid fitoi respektin e popullit të tij me trajtimin e skandalit “Windrush” – trajtimin e emigrantëve me prejardhje nga Karaibet të cilët arritën në Britaninë e Madhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Admirues i Margaret Thatcher, ish-bankieri dhe djali i një shoferi pakistanez autobusi foli kundër Brexit në kohën e referendumit të qershorit 2016, por që atëherë ka mbrojtur qëndrime euroskeptike.
Amber Rudd, trashëgimtarja
E zgjedhur deputete në vitin 2010 pas një karriere në financë dhe gazetari ekonomike, ajo ka shoqëruar Theresa May-in në ardhjen e saj në pushtet, mbështetje nga e cila ajo i korri frutat duke marrë portofolet e Ministrisë së Brendshme dhe më pas të Punës.
E njohur si punëtore dhe efikase, Amber Rudd, 55 vjeçe, mund të vuajë nga reputacioni i saj si një eurofile.
Konkurrentët me më pak gjasa për të fituar
Esther McVey, ish-ministre e Punës dhe ish-prezantuese televizive, tha se ishte gati të garonte, ashtu si edhe Rory Stewart, ish-këshilltar i princave William dhe Harry, të cilit ideja i duket emocionuese. //e.k/ /v.b/ a.jor.























