Zgjedhjet vendore, tërhiqet nga gara kandidati i Bindjes Demokratike në Kavajë

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Kandidati i Bindjes Demokratike për kryetar bashkie në Kavajë, Bledar Sinella ka njoftuar tërheqjen e tij nga gara.

Në një letër drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bledar Sinella sqaron arsyet se përse hoqi dorë.

Sinella shprehet se edhe pse është shprehur në parim dakord për kandidimin nën siglat e Bindjes Demokratike, e ka lënë të hapur këtë mundësi për një moment tjetër, pasi të mblidhte edhe firmat mbështetëse të qytetarëve.

“Në media jam njohur me faktin se Bindja Demokratike e ka depozituar kandidaturën time në KQZ, pa marrë dakordësinë time përfundimtare mbi këtë veprim dhe pa më dhënë mundësinë që të testoja mbështetjen nëpërmjet nënshkrimit të jo më pak se 1 % të listës së zgjedhësve, siç ligji e kërkon. Për këtë arsye, deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se unë nuk kam paraqitur asnjë dokument të nënshkruar prej meje as në KZAZ Kavajë nr. 42, as në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në këtë letër.

Sinella shprehet se nuk mund të bëhet pjesë e këtyre zgjedhjeve, nisur nga mungesa e mbështetjes nëpërmjet nënshkrimit të jo më pak se 1 % të listës së zgjedhësve, si dhe situatës politike në vend, duke qenë i ndërgjegjshëm mbi pasojat që ka për Kavajën dhe Shqipërinë zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën.

“Në këto rrethana, deklaroj largimin nga Bindja Demokratike dhe tërheqjen time nga kandidimi për bashkinë e Kavajës”, tha ai.

Ky është kandidati i tretë i Bindjes Demokratike që tërhiqet nga gara pas kandidatit të Çorovodës dhe atij të Lezhës. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.