TIRANË, 10 maj /ATSH/- Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme respektivisht rreth 59% dhe 52% e tyre sigurojnë mbi 80% të lëndës së parë brenda vendit.
Banka e Shqipërisë, publikoi vrojtimin mbi sistemin e ndërmarrjeve në vendin tonë, ku citon se, në periudhën paraardhëse, gjashtë mujori i parë 2018, ky tregues ishte edhe më lartë me 1.2% për ndërmarrjet e vogla dhe me 4.3% për ndërmarrjet e mesme.
Sipas BSH-së, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të mëdha rreth 44% prej tyre, sigurojnë deri në 20% të lëndës së parë brenda vendit.
Për sa i përket shitjes së produkteve që prodhojnë këto ndërmarrje, vrojtimi informon se kryesisht ato tregtojnë brenda vendit, por vend të rëndësishëm zë edhe eksporti.
Kështu 78% e ndërmarrjeve të vogla shprehen se e shesin prodhimin në tregun vendas, 77% e ndërmarrjeve të mesme dhe 55% e ndërmarrjeve të mëdha, kanë deklaruar se kanë shitur shumicën e produkteve në tregun e brendshëm.
Krahasuar me gjashtë mujorin e kaluar, ky raport është zhvendosur me rritje mbi 1.5% të eksporteve, kryesisht për ndërmarrjet e mesme dhe ato të mëdha që shesin produktet e tyre kryesisht brenda vendit. /e.xh/ /a.g/























