Ballina Bota

BRUKSEL – Ngadalësohet rritja ekonomike në eurozonë

BRUKSEL, 2 maj /ATSH-AFP/ – Rritja ekonomike në zonën euro është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e parë, ndërkohë që papunësia ka mbetur e qendrueshme në muajin mars, në nivelin më të ulët që prej nëntë vitesh, njoftoi sot Eurostat.

Ky ngadalësim i rritjes ekonomike në zonën euro do të konfirmojë frikën e Bankës Qendrore Europiane (BQE).

Kjo e fundit kishte theksuar të enjten se priste një dobësim të konjukturës në zonën euro, pas disa tremujorëve rritje ekonomike, më e lartë nga sa ishte parashikuar.

Sipas shifrave paraprake nga Zyra europiane e Statistikave, Prodhimi i Brendshëm Bruto i 19 vendeve, që kanë miratuar monedhën unike, është rritur në tremujorin e parë me 0,4% nga 0,7% në tremujorin e fundit të vitit 2017.

Papunësia në zonën euro mbetet e qendrueshme në 8,5% në muajin mars, ashtu si në shkurt, në nivelin më të ulët që prej dhjetorit 2008, kur ajo ishte 8,3%.

Shifrat për rritjen ekonomike dhe papunësinë kanë konform pritshmërive të analistëve të pyetur nga kompania e shërbimit financiar “Factset”./ /ec/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKomisioni “Tahiri”, Paloka: Institucionet pengojnë hetimin
Artikulli tjetërParime të reja për hartimin dhe përbërësit e pasqyrave financiare