Parime të reja për hartimin dhe përbërësit e pasqyrave financiare

TIRANE, 2 Maj/ATSH/- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot p/ligjin për kontabilitetin dhe pasqyrat financiar i cili përcakton parimet dhe rregullat e përgjithshme për hartimin dhe përbërësit e pasqyrave financiare, përcaktimin e standardeve kontabël të zbatueshëm, si dhe mbajtjen e kontabilitetit.

Zv/ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi, i pranishëm në Komision tha se qëllimi i projektligjit është përcaktimi dhe përmirësimi i cilësisë së standardeve për kontabilitetin dhe raportimin financiar, si dhe përafrimi i tyre me direktivën e BE-së duke mbështetur kështu angazhimet strategjike të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Projektligji, po ashtu theksoi ai, sjell klasifikimin e njësive dhe grupeve ekonomike për efekt të standardeve kombëtare apo ndërkombëtare të kontabilitetit, hartimin e raporteve financiare dhe jofinanciare, të cilat japin një pamje të plotë të zhvillimit dhe politikave të ndërmarrjes.

Përcaktohet paraqitja e raportit të pagesave që u bëhen autoriteteve shtetërore nga ana e industrisë nxjerrëse ose shfrytëzimit për lëndë drusore të pyjeve, për qëllime të raportimit financiar, lehtësimin e barrës së raportimit financiar për personat fizikë, mikro njësitë dhe njësitë e vogla ekonomike, duke rritur transparencën e raportimit financiar për të gjitha njësitë ekonomike, si dhe qartësimin e terminologjive përkatëse./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.