LONDËR, 3 maj /ATSH-AA/- Komiteti për ndryshimin e klimës, një organ këshillues joqeveritar tha se Britania e Madhe duhet të vendosë objektivin ”zero” për emetimet e gazrave serrë deri në vitin 2050 për t’i dhënë fund kontributit të tyre në ngrohjen globale.
Në Skoci, komiteti rekomandon zero emetime deri në vitin 2045, “duke reflektuar aftësinë më të madhe relative të Skocisë për të hequr emetimet nga Britania e Madhe, ndërsa në Uells, rekomandimi është një reduktim prej 95 % të gazrave serrë deri në vitin 2050.
“Objektivat e rekomanduara janë të arritshme me teknologjitë e njohura, së bashku me përmirësimet në jetën e njerëzve dhe duhet të futen në ligj sa më shpejtë që është e mundur”, tha komiteti në raportin e tij.
Mbretëria e Bashkuar deri në vitin 2050 aktualisht synon reduktimit e emetimeve të karbonit deri në 80 % nën nivelin e vitit 1990.
Komiteti përmendi disa fusha ku janë të nevojshme përmirësimet për të arritur një ekonomi me zero emetime gjatë 30-viteve të ardhshme, përfshirë “furnizimin me energji elektrike me karbon të ulët e cila duhet të katërfishohet deri në vitin 2050, ndërtimin e ndërtesave efikase për energji si dhe zhvillimin e teknologjisë së tërheqjes dhe ruajtjes së karbonit”.
Përveç kësaj, nga viti 2035 ose më herët automjetet elektrike duhet të jenë opsioni i vetëm, groposja e mbetjeve të biodegraduara duhet të ndalojë, gazrat e fuqishëm të fluorurit duhet të largohen, më shumë pemë duhet të mbillen dhe duhet të futen masa për të reduktuar emetimet e gazrave në ferma.
Raporti thekson rëndësinë e rolit të qeverisë, e cila duhet të jetë e shpejtë dhe e qartë, ndërsa shtohet se publiku po ashtu duhet të angazhohet nëse tranzicioni do të jetë i suksesshëm.
Raporti i komitetit britanik për ndryshimin e klimës vjen pasi dje Parlamenti i Britanisë së Madhe miratoi një mocion për të deklaruar një mjedis dhe klimë emergjence.
Mocioni ligjërisht nuk e detyron qeverinë të veprojë, por kjo ishte një nga kërkesat kryesore të grupeve aktiviste të mjedisit që përfunduan protestat më 25 prill./ /os/ a.jor.






















