TIRANË, 29 prill/ATSH/- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh të hënën në përfundim të një takimi me përfaqësueses të Institutit Ndërkombëtarë Republikan, se PD është në një proces modernizimi dhe është partia e parë në Shqipëri që do të zgjedh kandidatët e saj për Kuvendin e ardhshëm me parimin një anëtarë një votë.
‘Po avancojmë në rrugën tonë për demokratizimin e PD-së. Takimi i sotëm ishte me ekspertë të NDI-së dhe ekspertët nga Uashingtoni. PD do ti zgjedhë kandidatët për deputetë me procesin ‘një anëtar një votë’. Ky është një proces që nuk ka ndodhur më parë as në Shqipëri dhe as në Ballkan. Ky model është modeli i transparencës dhe llogaridhënies. Ne do ta nisim nga vetja këtë proces’, u shpreh ndër të tjera Basha.
Basha iu përgjigj interesit të mediave, lidhur me qëndrimin e aleatëve të PD. “Nuk ka asnjë mospërputhje midis qëndrimeve të PD-së dhe gjithë koalicionit tonë. PD ka përfunduar javën e kaluar një dokument të detajuar sa i përket detyrave të qeverisë tranzitore në raport me zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe do ta paraqesë atë në ditët në vijim në mënyrë publike”, tha Basha.

























