BRATISLAVË, 31 mars /ATSH-DPA/ – Juristja liberale, Zuzana Caputova është tashmë presidente e Sllovakisë, sipas rezultateve përfundimtare të balotazhit të djeshëm.
Caputova mori 58,4% të votave kundër Maros Sefcoviçit, aktualisht eurokomisioner për Energjinë, i cili mori 41,6% të tyre.
Dyzetë e pesë vjeçarja do të marrë postin e presidentes, një rol më tepër ceremonial, më 15 qershor.
Caputova është kritikuar shpesh nga kisha dhe grupet e tjera konservatore për qëndrimin e saj për abortin dhe homoseksualët, por fitorja tregoi se Sllovakia nuk është një vend konservator aq sa njerëzit mendojnë se është.
Caputova falënderoi votuesit në sllovakisht, çekisht, hungarisht, madje edhe në gjuhën rome./ a.jor.












