TIRANË, 29 mars/ATSH/ – Investimet e bëra nga pushteti qendror dhe ai vendor i kanë dhënë një pamje krejtësisht tjetër qytetit bregdetar të Durrësit.
Gjatë hapjes së takimit “Bashkia që duam” të zhvilluar sot në qytetin e Durrësit, kryebashkiaku i këtij qyteti, Vangjush Dako paraqiti përpara mijëra të pranishmëve investimet e ndërmarra në Durrës gjatë këtij mandati 4-vjeçar.
“Kemi përmirësuar gjithë zonën e Durrësit, jo vetëm në bashkinë e vjetër, por në gjithë bashkinë e re të madhe të këtij qyteti, nga Ishmi e duke vazhduar në Katundin e Ri, në Sukth, në Manzë, Rrushbull dhe në të gjithë zonat rurale, ku ndërtuam 65 rrugë të reja të cilat nuk ishin rrugë. Falë ndërhyrjeve tona, sot qytetarët që banojnë në ato zona, ndjehen më mirë, kanë një cilësi jetë më të mire. Ndërtuam 12 rrugë në Ishëm, 11 në Manzë, 13 në Sukth, 12 në Katundin e Ri dhe 19 në zonën e Rrushbullit. Zonat informale të qytetit të Durrësit kanë pësuar gjithashtu transformim, afro 51 ndërhyrje në këto 4 vite janë bërë në Plazh, në Shkozet, në Spitallë në zonën e Durrësit të ri dhe kemi vazhduar me projekte të tjera në qendër të qytetit”, – theksoi Dako.
Kryebashkiaku i Durrësit u ndal edhe tek investimet e ndërmarra në infrastrukturën shkollore.
”Ky mandat ka qenë mandati i arsimit. Sot jam krenar që çdo kopsht çdo çerdhe në qytetin e Durrësit është totalisht o i ri, o i rikonstruktuar. Nëntë shkolla 9-vjeçare kanë pësuar një rikonstruksion total dhe kemi ndërtuar 5 shkolla të reja për qytetarët e Durrësit nga Ishmi, në Durrës, – tha Dako, duke shtuar se, – furnizimi me ujë dhe kanalizimet e këtij qyteti, sot janë përmirësuar në një mënyrë të jashtëzakonshme. Vetëm kanali i kullimit të ujërave të qytetit, që është një aset i ndërtuar nga italianët 80 vite më parë, është pastruar dhe ka bërë të mundur që të mos kemi përmbytje në zonën e qendrës së Durrësit, pasi kishte 80 vjet që nuk ndërhynte kush”.
Sipas Dakos “përmirësim kanë patur edhe zonat detare të Durrësit, zona e Shkëmbit të Kavajës, zona në Currila, ku gjithë ujërat e zeza derdheshin në det. Sot kjo gjë është stabilizuar, falë investimit të Bankës Botërore dhe qeverisë shqiptare, ku u bë e mundur që kolektorët kryesorë të funksionojnë jo vetëm për këto zona, por edhe për lagjet nr. 1, 2, 3, 4 për të përmirësuar dhe atje standardin e jetesës”.
Gjatë këtij mandati, Dako garantoi se në qytetin e Durrësit nuk do të ketë më mungesë të ujit të pijshëm.
“Në qershor do të përfundojë furnizimi me ujë të pijshëm për gjithë qytetin e Durrësit, i cili do të trefishojë prurjen e ujit në çdo familje të qytetit tonë”, – vijoi ai.
Gjithashtu ai foli edhe për zonat, të cilat kanë patur një potencial të madh turistik, falë Reformës Territoriale, e cila sipas tij nuk ka qenë një reformë për të ndërruar disa komunarë, por një reformë për t’i dhënë një zhvillim qytetit të Durrësit.
”Për herë të parë shteti shqiptar është më përpara se iniciativat private. Dua të jap shembullin e zonës së Gjirit të Lalëzit, ku investimet e qeverisë shqiptare kanë përfunduar kolektorin që mbledh gjithë ujërat e zeza të asaj zone. Ka përfunduar impianti i pastrimit të ujërave të zeza të kësaj zone, ka përfunduar ujësjellësi i gjithë kësaj zone, ku sot është inauguruar dhe nënstacioni i gjithë asaj zone, pra kushdo që është i interesuar për të hapur një biznes në atë zonë, të mos hezitojë, pasi qeveria shqiptare i ofron investitorëve të gjitha kushtet lehtësuese për infrastrukturën”, – vijoi ai.
Sipas kryebashkiakut të Durrësit, puna për transformimin e qyteti bregdetar do të vijojë edhe në katër vitet e ardhshme. Dako shprehu mirënjohje ndaj Kryeministrit Edi Rama, për mbështetjen që i ka dhënë atij, si dhe për investimet të cilat kanë transformuar rrënjësisht qytetin bregdetar të Durrësit.
”Ne do të vazhdojmë punën për të realizuar transformimin totalisht të Durrësit, dhe me një cilësi jete më të mirë për qytetarët, pasi ky qytet sot nuk jeton me të shkuarën, me hitorinë e tij, por jeton me të tashmen, me punën tonë të përditshme, jeton me kontributin e secilit prej jush për zhvillimin e këtij qyteti. Mund t’ju them që vetëm zona e Shkëmbit të Kavajës sot, falë ndërhyrjes së bashkisë e të qeverisë shqiptare është një zonë turistike që do të presë afro 3 mijë pushues, (…) së bashku me qeverinë ka përfunduar totalisht të gjitha investimet në infrastrukturë me rrjetin e kanalizimeve me furnizimin me ujë, me ndërtimin e trotuareve, gjelbërim, ndriçim, me shëtitoren 8 metra dhe 2,4 km të gjatë dhe e bëjmë atë zonë, një zonë vërtet turistike”, – përfundoi ai.
/m.z/e.caushi/























