ALGJER, 28 mars /ATSH-DPA/ – Presidenti algjerian, Abdelaziz Buteflika, në pushtet që prej vitit 1990, ka zemëruar shumë qytetarë të vendit të tij pasi ka deklaruar se do të konkurrojë për një mandat të pestë në zgjedhjet e muajit të ardhëm, pavarësisht sëmundjes paralizuese që ka.
Algjeria është përballur me disa protesta masive në javët e fundit që kërkojnë t’i japin fund pushtetit të 82-vjeçarit.
Në vitin 2013, Buteflika pësoi një goditje që e dobësoi aq shumë sa nuk mundi të merrte më pjesë as në mitingjet e tij elektorale.
Një vit më vonë, ai i fitoi zgjedhjet dhe shfaq në një karrige me rrota gjatë marrjes së mandatit.
Që prej asaj kohe është parë shumë rrallë në publik duke ngritur spekulime të shumta mbi shëndetin e tij dhe dyshime mbi aftësinë për të qëndruar në pushtet.
Megjithatë, besnikët e Buteflikës e lavdërojnë atë, duke thënë se ai e ka udhëhequr vendin larg trazirave të rajonit.
Buteflika ishte i vetmi president afrikano-verior që nuk u hoq nga protestat pro-demokratike që nisën nga Pranvera Arabe, në Tunizinë fqinje.
Në atë kohë, qeveria e tij arriti t’i kontrollonte këto protesta në Algjeri me premtime për reforma dhe rritje rrogash, të financuara nga të ardhurat që ka vendi prej naftës dhe gazit.
Megjithatë, kundërshtarët e Buteflikës thonë se ai ka shumë kohë në pushtet dhe se nuk është i aftë fizikisht, ndërkohë që ndihmësit e tij ka qenë në drejtim të punëve të shtetit.
Buteflika është presidenti algjerian që ka qëndruar më gjatë në pushtet që prej kohës që vendi fitoi pavarësinë nga Franca, në vitin 1962.
I lindur më 2 mars 1937, në Marok nga prindër algjerianë, Buteflika nuk e mbaroi shkollën e mesme.
Veteran i luftës së pavarësisë nga Franca në vitet 1954-62, Buteflika u nderua nga mbështetësit e tij, që e quanin “El Moudjahid” që përkthehet nga arabishtja “luftëtari”.
Ai u bë ministri më i ri pas pavarësisë, pasi mori në dorëzim Ministrinë e Sporteve, në moshën 25-vjeçare.
I lavdëruar për aftësitë diplomatike dhe oratorike, ai u bë shpejt ministër i Jashtëm, pozicion që e mbajti për 16 vite.
Ai migroi jashtë vendit gjatë viteve ’80 për t’i shpëtuar akuzave për korrupsion që më vonë u rrëzuan.
Si president, ai nxori Algjerinë nga një luftë civile që rezultoi me 200 000 të vdekur.
Ai negocioi gjithashtu në mënyrë të suksesshme një marrëveshje paqeje që uli dramatikisht dhunën nga kryengritësit islamikë.
Gjatë mandatit të tij të parë, ai prezantoi reforma ekonomike që e kthyen Algjerinë në një ekonomi tregu.
Në vitin 2008, ai ndryshoi kushtetutën, duke hequr limitin e dy mandateve për presidentin./ /esko/ a.jor.












