Takimi i Lleshaj me ministrin holandez, protestuesit tentojnë të thyejnë perimetrin e sigurisë

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Mbështetësit e opozitës u grumbulluan para Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që në këtë institucion pritej hyrja e delegacionit holandez të kryesuar nga ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë të Holandës, Ferdinand Grapperhaus.

Protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë së vendosur aty për të garantuar sigurinë e delegacionit të huaj.

Pas momentesh tensioni, delegacioni holandez ka mundur të futet në Ministrinë e Brendshme pa asnjë incident.

Ndërsa një pjesë e protestuesve kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë tek Ministria e Brendshme, disa qytetare janë ndaluar nga punonjëset e policisë, për t’i larguar menjëherë nga rrethimi i sigurisë së krijuar për mbërritjen e delegacionit holandez.

Krah protestuesve ishte edhe ish-deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, e cila e cilësoi dhunë përpjekjen e Policisë për të pastruar perimetrin e sigurisë.

Ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë të Holandës, Ferdinand Grapperhaus dhe delegacioni që e shoqëron, po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Tiranë. Ai do të jetë i pranishëm gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Shkollës së Magjistraturës dhe Qendrës së Trajnimeve dhe Studimeve për Gjyqësorin në Utreht të Holandës.

Holanda ka qenë një ndër vendet skeptike për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe hapjes së negociatave. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.