Basha: Protestat nuk do të ndalen deri në rrëzimin e qeverisë

TIRANË, 28 mars /ATSH – I. Vata/ – “Protesta nuk do të ndalet deri në rrëzimin e qeverisë të Edi Ramës”, deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha, duke folur sot para demonstruesve në protestën para Parlamentit.

Basha deklaroi se “kjo qeveri për 6 vite me radhë vodhi e varfëroi shqiptarët, i gjobiti, rriti taksat, energjinë, çoi në burg e në vetëvrasje familjarët që nuk i paguanin dot faturat e kripura, shkatërroi mijëra biznese, qindra-mijëra i drejtoi në dëshpërim, shkatërroi shëndetësinë, mbylli qindra shkolla”.

Më tej, Basha tha se “sot nga ky shesh nuk janë bashkuar hallet, por dhe zgjidhja dhe shpresa e shqiptarëve”.

Basha premtoi se PD do të zgjidhë problemet e studentëve, duke deklaruar se një ditë e re e universiteteve europiane po vjen.

“Studentëve shqiptarë, dritës së syrit të çdo prindi, dritës së syrit të demokracisë, dua t’u them sot se, ai që ju mashtroi është tashmë i larguar, se PD dhe opozita e bashkuar do t’i zgjidhin problemet tuaja”.

Po ashtu, Basha tha se  “beteja jonë do të vazhdojë, pasi jemi të frymëzuar nga fryma e shenjtë e demokracisë, fryma e shenjtë e Zotit”.

Ndërsa, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha para protestuesve se kryeministri është fajtor për largimin e 400 mijë shqiptarëve.

“Ne sot mbajmë vendin e parë në Europë për azilkërkues. Të gjitha duan të largohen nga Shqipëria. Kjo do të sjellë heqjen e vizave. Ky njeri i ka detyruar shqiptarët të ngrihen dhe të ikin. Ky njeri do të kthejë dhe një herë trafikun e vizave”, tha ajo.

Sipas Kryemadhit, qeveria dështoi me premtimin e 300 mijë vendeve të punës.

Pas fjalimeve të përfaqësuesve të opozitës para Kuvendit dhe tentativave të vazhdueshme për të çarë kordonin e policisë, protesta u zhvendos para godinës së Ministrisë së Brendshme. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.