Ballina Ekonomi

Përfundon procesi i legalizimeve në bashkinë Konispol

TIRANË, 22 mars /ATSH/- Bashkia Konispol është e para bashki që mbyll procesin e legalizimit.

“Sot gjendemi në Konispol për të dorëzuar grupin e fundit të lejeve të legalizimit për gjithë territorin e kësaj bashkie”, tha Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame në një aktivitet të zhvilluar në prani të deputetit të zonës Alket Hyseni, kryetarit të bashkisë, Shuaip Beqiri dhe drejtorit të ALUIZNI-t, Sarandë, Eleron Gjoni.

Me përmbylljen e këtij procesi, mbeten pa u legalizuar ende edhe rreth 40 banesa të pabanuara, ose që pronarët e tyre janë në emigracion.
“Gjejmë rastin t’ju bëjmë thirrje atyre banorëve që, në rastin e parë që do të kthehen në atdhe, të paraqiten pranë zyrave tona për të ndjekur procedurat e mbetura”, vijoi mes të tjerash drejtori Lame.

Sipas Artan Lames, “me legalizimet e sotme, përmbyllet kapitulli i legalizimeve në këtë bashki, për të hapur më tej me Agjencinë e re të Kadastrës, reformën pasuese, atë të regjistrimit të tokës në fshat”.

Bashkia Konispol mbulohet nga Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Sarandë. Ajo përbëhet nga Njësitë Administrative Konispol, Xarrë dhe Markat. Kemi të bëjmë me një zonë me drejtim të theksuar agrobujqësor.

Në këtë zonë ka patur gjithsej 660 vetëdeklarime. Për periudhën 2006-2013 ishin bërë vetëm 8 leje në Xarrë dhe 0 leje në Konispol. Ndërsa për periudhën 2014-2019 janë bërë 606 legalizime.

e.xh/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakATHINË – Sulmohet me lëndë shpërthyese konsullata e Rusisë
Artikulli tjetërDPT: 31 marsi, afati i fundit për deklaratën e tatim-fitimit dhe pasqyrat financiare