Ballina Ekonomi

Sorensen: Masa konkrete për uljen e informalitetit

TIRANË, 20 mars /ATSH/- Qeveria po adreson masa konkrete në tre drejtime kryesore për uljen e informalitetit në ekonominë e vendit.

Dajna Sorensen, zv/ministre e Financave dhe Ekonomisë u shpreh për ATSH-në, se “në vetvete janë një sërë aktorësh që po bashkërendojnë kundër informalitetit, por masat konkrete përfshijnë drejtimet në: Administratën Tatimore; Inspektoratin e Punës dhe Sigurimet  Shoqërore”.

“Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për domosdoshmërinë e pagesës për marrjen e pensionit. Ndërsa masat janë shtrirë në tre drejtime, por ne jemi duke hartuar bashkërendim të punës edhe me partnerët e huaj për një paketë masash të qëndrueshme që i adresohen uljes së informalitetit afatgjatë”, – vijoi ajo.

Sorensen shpjegoi se, ka tre momente të rëndësishme përsa i takon informalitetit: Pjesa e vetëpunësimit në biznese që nuk deklarohet; punësimi i personave me pagë në mënyrë jo të plotë dhe elementi i tretë janë të punësuarit brenda familjes.

Duke iu referuar raportit të publikuar së fundi nga Banka Botërore mbi tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, Sorensen thekson se “informaliteti në Shqipëri është ulur në 36% nga 50% që ishte më parë”.

/e.xh/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Uashingtoni sanksionon kompani kineze të transportit detar për tregti me Korenë e Veriut
Artikulli tjetërHysi: Protesta te “Unaza e Re” ka humbur interesin, është politizuar