TIRANË, 21 mars/ATSH/ Protesta e banorëve te “Unaza e Re” e ka humbur interesin pasi sipas deputetes së Partisë Socialiste, Vasilika Hysi kjo protestë është politizuar.
Deputetja e Partisë Socialiste gjatë një interviste televizive foli për protestën së banorëve të “Astirit” të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre dhe ndërtimin e “Unazës së Madhe” të Tiranës.
Hysi tha se “protesta e qytetarëve e ka humbur interesin, pasi tashmë protestës së tyre i është bashkuar opozita, pra politika është bërë pale e kësaj proteste”.
Sipas saj “në vlerësimin e tyre ata mund të kenë të drejtë, por unë gjykoj si juriste se interesat shtetërore prevalojnë mbi ato personale. Ligji e parashikon shumë mire si procedohet për pronat publike”.
Nënkryetarja e Kuvendit, Hysi u ndal edhe te deklarata e Presidentit Meta për një djegie të mundshme të mandatit të tij, duke shtuar se kjo deklaratë ishte e paqartë për të.
“Nuk e kam kuptuar reagimin e tij, ai e ka të vështirë që të ushtrojë funksionet Kushtetuese. Shpesh më duket sikur ngatërron kompetencat e tij. Zgjedhjet janë të njohura ligjërish nga ndërkombëtarë dhe nga vetë opozita. Nëse Meta kërkon që të heqë dorë nga mandati, Kushtetuta e thotë qartë, por në këto kushte si shumica dhe opozita duhet që të dialogojnë, është në të mirë të vendit dhe të qytetarëve”, – tha Hysi.
Hysi konfirmoi se puna për Reformën Zgjedhore do të vijojë.
“Reforma zgjedhore do të vazhdojë. Partitë e opozitës tashmë kanë sjellë përfaqësuesit e tyre në parlament, pasi deputetët që kanë ardhur në parlament kanë marrë mandatin që kryetarët e partive të tyre u kanë dhënë. Kolegët e rinj kanë marrë përsipër që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe thjesht po marrin përgjegjësitë që ju takojnë, ato janë pjesë e listave të partisë së tyre, nuk janë emra të dhënë nga Edi Rama”, – theksoi Hysi.
m.z/e.caushi/























