Sorensen: Masa konkrete për uljen e informalitetit

TIRANË, 20 mars /ATSH/- Qeveria po adreson masa konkrete në tre drejtime kryesore për uljen e informalitetit në ekonominë e vendit.

Dajna Sorensen, zv/ministre e Financave dhe Ekonomisë u shpreh për ATSH-në, se “në vetvete janë një sërë aktorësh që po bashkërendojnë kundër informalitetit, por masat konkrete përfshijnë drejtimet në: Administratën Tatimore; Inspektoratin e Punës dhe Sigurimet  Shoqërore”.

“Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për domosdoshmërinë e pagesës për marrjen e pensionit. Ndërsa masat janë shtrirë në tre drejtime, por ne jemi duke hartuar bashkërendim të punës edhe me partnerët e huaj për një paketë masash të qëndrueshme që i adresohen uljes së informalitetit afatgjatë”, – vijoi ajo.

Sorensen shpjegoi se, ka tre momente të rëndësishme përsa i takon informalitetit: Pjesa e vetëpunësimit në biznese që nuk deklarohet; punësimi i personave me pagë në mënyrë jo të plotë dhe elementi i tretë janë të punësuarit brenda familjes.

Duke iu referuar raportit të publikuar së fundi nga Banka Botërore mbi tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, Sorensen thekson se “informaliteti në Shqipëri është ulur në 36% nga 50% që ishte më parë”.

/e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.