PRISHTINË, 11 mars /ATSH/ – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj priti sot në takim këshilltarët për politikë të jashtme të Kancelares gjermane, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg, me të cilët ka biseduar rreth zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend dhe rajon, si dhe normalizimin e dialogut me Serbinë.
Kryeministri Haradinaj i njohu këshilltarët Hecker dhe Lüttenberg me progresin e Kosovës dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik të vendit, për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, Axhendën e Reformave Europiane dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj, me këtë rast falenderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës dhe tani në shtetndërtim, duke thënë se bashkëpunimi dypalësh në të gjitha fushat është i rëndësishëm për vendin.
“Gjermania është një nga partnerët politikë dhe ekonomikë të Kosovës, e cila i ka dhënë mbështetje në momente të vështira dhe tani në fuqizimin e zhvillimit ekonomik dhe ofrimin në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Për këtë u jemi mirënjohës”, tha Kryeministri Haradinaj. /KosovaPress/j.p/























