Rikonstruksioni i konvikteve, Komisioni i Ekonomisë kalon për në seancë marrëveshjen me Gjermaninë

TIRANE, 11 mars/ATSH/ – Qeveria i ka kushtuar një rëndësi të veçantë përmirësimit të kushteve të konvikteve universitare dhe se e gjithë kjo paketë është pjesë e paktit të universiteteve, që në themel ka të bëjë me uljen e kostove për studentët, si dhe projekteve të rëndësishme infrastrukturore.

Kështu deklaroi sot kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financës, gjatë diskutimeve për marrëveshjen, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2017, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të eficiencës energjetike, faza III”.

“Tarifat për universitetet për studentët janë ulur 50% për të gjithë studentët. Studentët e ekselencës praktikisht janë të përjashtuar nga tarifa, kanë një subvencionim 100%”, nënvizoi Ahmetaj.

I ftuar në komision për projektligjin “Për ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin “Siguria e digave”, ishte zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, i cili tha se kemi të bëjmë me një rialokim nga objektivi 2 në 3.

“Pra, nga fonde të paalokuara nga kredia në kredinë e re që është miratuar para një viti, ne nuk kemi parashikuar fond për supervizimin, sepse këto fonde i kishim dhe këto trashëgohen, shtyhet dhe afati për përdorim”, sqaroi ai.

Relatorja e këtij projektligji, Senida Mesi, u shpreh se qëllimi i projektligjit është ratifikimi i kësaj letërmarrëveshje, e cila do të kontribuojë në sigurinë e digave më të mëdha hidroelektrike mbi kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat, në Shqipëri, në përmirësimin e eficiencës operative të këtyre digave dhe në përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal.

Anëtarët e komisionit, pas diskutimeve i miratuan të dyja projektligjet nen për nen, në parim dhe në tërësi, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.