TIRANË, 7 mars /ATSH/ – Rikonstruksioni i rrugës “Vllaznimi” në lagjen nr. 5 të qytetit të Shkodrës, është një shembull shumë domethënës i bashkëpunimit të qeverisjes vendore me komunitetit.
Këtë fakt e ka evidentuar gjatë inspektimit të punimeve kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, duke shprehur falënderimet e saj për banorët. Rruga “Vllaznimi”, përgjatë saj ka disa degëzime, ku vetë banorët po kontribuojnë me rrjetin KUZ.
Ndërhyrja në rrugën “Vllaznimi”, në një zone të re urbane që i është bashkuar qytetit, është e plotë dhe parashikon kanalizimet e ujrave të zeza- KUZ, kanalizimet e ujrave të bardha- KUB, rrjetin e ujësjellësit, rrjetin e fibrave optike dhe internetit, shtresat asafaltike, ndriçimin dhe sinjalistikën.
Investimi nga të ardhurat e bashkisë Shkodër, me vlerë 180 milion lekë, do ta kthejë këtë bllok banimi në një model, pjesë e natyrshme urbane e qytetit të Shkodrës. /a.a/j.p/






















