Ballina Flash

Shkodër, “Arti kundër dhunës” të rinjtë diskutojnë për realizimin e grafiteve

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/- Në kuadër të projektit “Arti kundër dhunës” në qytetin e Shkodrës po zhvillohet seminar trajnimi treditor “Street Art”.

Ky seminar i organizuar pranë Qendrës Rinore “Atelie” me të rinj të Shkodrës nga Universiteti “Luigj Gurakuqi”, departamenti i Arteve dhe nga gjimnaze të ndryshme të Shkodrës, synon angazhimin dhe aktivizimin e të rinjve në transformimin e komunitetit me anë të realizimit të disa grafiteve.

Gjatë këtyre ditëve po trajtohen tema duke filluar nga historia e artit të rrugës, tipare dhe teknika; fenomeni “Banksy” si model i protestës nëpërmjet artit; “Çeta” etj.; diskutimi i projektideve të të rinjve për realizime grafiti në qytetin e Shkodrës dhe përzgjedhja e ideve që do realizohen dhe përgatitja e shabllonëve përkatëse. Të rinjtë janë duke shprehur interes të lartë dhe gjithashtu angazhim cilësor.

Seminari “Street Art” udhëhiqet nga prof. Rubin Mandija, pedagog pranë departamentit të Arteve të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

“Arti kundër dhunës” zbatohet në kuadër të Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD), i cili financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Bashkia Shkodër, si një ndër 12 bashkitë partnere të Programit ReLOaD në Shqipëri, është bashkëfinancuese dhe bashkëzbatuese e programit, për projektet që po zbatohen në territorin e Bashkisë.

Projekti “Arti kundër dhunës” përfshin aktivitet që konsiston në organizimin e mësimeve jo-formale argëtuese me të vegjël të qytetit, si edhe me organizimin e një sërë aktiviteteve artistiko-sportive (koncerte, ekspozita, teatër, etj.) me të rinjtë dhe shtresat vulnerabël. /k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTatimpaguesit e mëdhenj, takim informues për paketën fiskale
Artikulli tjetërEurodeputeti Kyuchyuk: Zgjidhje të krizës politike në emër të së ardhmes